Vendosni fjalën kyçe....

Gjiknuri për presidentin e ri: Një figurë pa plane politike, të mos e ndotë zyrën siç bëri Meta


Sekretari i Përgjithshëm i PS-së ka thënë sot se shumica është e hapur për sa i përket emrit të presidentit të ri që të jetë i pëlqyeshëm nga të dyja palët.

Po kështu ai tha se kandidati për president duhet të mos ketë interesa të çastit politik e pa planë politike në mënyrë që të mos e ndotë zyrën.

Ai solli si shembull presidentin e tanishëm Meta, i cili sipas tij i ka kapërcyer kompetencat e tij dhe ka kërkuar ta shfrytëzojë zyrën për t’u imponuar sifigurë e mundshme e lidershipit të ardhshëm opozitar.

“Në momentin që diskutojmë për profil dhe jemi të hapur për emra mund të jetë një emër që të ketë pëlqyeshmërinë e të dyja palëve. Kështu që nuk kemi pse të paragjykojmë, qoftë emra që vijnë nga opozita apo dhe emra që mund të vijnë nga maxhoranca. Në momentin që ulemi dhe diskutojmë për një profil aty janë të gjitha mundësitë që të fillojmë të ngushtojmë dhe numrin e kandidatëve të cilët i përshtaten këtij profili. Kur ulesh për negociatë, ulesh pa paragjykime, por mbi disa parime.

Parimet janë të gjejmë një profil të asaj që ne e kemi thënë publikisht. Të jetë një njeri pa interesa të çastit politik, pa plane politike që të mos ta kontaminojë zyrën e Presidentit nga axhenda e tij politike siç ishte rasti i Ilir Metës që vërtetë u zgjodh se ishte pjesë e maxhorancës në atë kohë, por momentin që vajti President dhe si u zhvillua dinamika e ngjarjeve në vend, ai u duk qartë që kishte plane për periudhën pas zyre dhe gjatë 5 viteve në Presidencë punoi si të imponohej si figurë e mundshme e lidershipit të ardhshëm opozitar gjë që po evidentohet përditë.” – tha ndër të tjera Gjiknuri.