Vendosni fjalën kyçe....

Sot Kuvendi i PD-së, vendosen flamuj të SHBA-ve e BE-së në hyrje të Pallatit të Kongreseve


Këtë të shtunë në orën 10:00, Komisioni i Rithemelimit mbledh Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike në Pallatin e Kongreseve.

Kur rreth një orë ka mbetur nga nisja e Kuvendit, Pallati i Kongreseve përgatitet për të pritur qindra delegatë.

Sikurse vihet re nga fotot e mëposhtme, vihet re se hyrja e Pallatit të Kongreseve është mbuluar nga një banderolë ngjyrë blu, me logon e vjetër të PD-së si dhe Kuvendin Kombëtar.

Po kështu zbulohet dhe slogani i Kuvendit: “Më të bashkuar, më të fortë, më të hapur”.

Ndërkohë rrugicat në hyrje të Pallatit të Kongreseve janë vendosur në të dyja anët flamujt e SHBA-ve, BE-së, Shqipërisë si dhe Partisë Demokratike. Duket kjo si një mesazh drejtuar ambasadës amerikane, që nuk e njeh Komisionin e Rithemelimit si drejtues të PD-së.

Rreth 1800 delegatë pritet të zgjedhin sot anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar të PD-së.

Përmes një mesazhi dërguar çdo deputeti të Partisë Demokratike, Komisioni i ka kujtuar gjithsecilit se janë delegatë të Kuvendit ndaj edhe kanë të printuar mandatin.

“I nderuar Deputet i Partisë Demokratike, nesër, ditë e shtunë, datë 30 prill 2022 zhvillon punimet e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike. Në bazë të Nenit 42 të Statutit të PD, ju jeni delegat në Kuvend. Kuvendi hap punimet në orën 10:00. Hyrja tek Pallati Kongreseve nga ana e Hotel Rogner, pjesa anësore. Jeni të lutur të tërhiqni mandatin pranë recepsionit në selinë e Partisë Demokratike. Lutem konfirmimin e prezencës nga ana juaj në nr. 0683273805. Për një Parti Demokratike më të bashkuar, më të fortë, më të hapur!”- thuhet në mesazhin e grupit të Rithemelimit.

Grupi i Rithemelimit ka ftuar edhe ish-bashkëpunëtorët e besnikët e Lulzim Bashës me shpresën që të japë sinjale bashkimi. Po ashtu Berisha ka ftuar edhe ish-bashkëpunëtorët Arben Imami e Jozefina Topalli, si dhe të larguarit e fundit nga PD, si Rudina Hajdari e Myslym Murrizi, dhe të gjithë deputetët e tjerë të demokratë.