Vendosni fjalën kyçe....

SHBA sanksionon firmën më të madhe në botë të minierave të diamanteve


Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të tjera sanksione ndaj Moskës, këtë herë duke synuar ndërmarrjet shtetërore. Mes tyre një nga kompanitë më të mëdha të minierave në botë si dhe firmën më të madhe ruse të ndërtimit të anijeve.

Departamenti i Thesarit të Shtetit Amerikan njoftoi të enjten se me masat e reja do të godasin kompaninë ruse të minierave Alrosa dhe Korporatën e Bashkuar të Ndërtimit të Anijeve.

“Këto sanksione do të vazhdojnë të ushtrojnë presion ndaj subjekteve kyçe që mundësojnë dhe financojnë luftën e paprovokuar të Rusisë.”- tha zyrtari i lartë i Thesarit, Brian Nelson sipas RT-së. Ai u zotua gjithashtu të vazhdojë përpjekjet për të “kufizuar aksesin e Kremlinit në asete”.

Alrosa është kompania më e madhe në botë e nxjerrjes së diamanteve për nga vëllimi dhe është përgjegjës për rreth 90% të kapacitetit të Rusisë, me eksportet e saj që arritën në më shumë se 4.5 miliardë dollarë vetëm vitin e kaluar. Alrosa ishte identifikuar më parë si një kandidate potenciale për sanksione sipas një urdhri ekzekutiv të publikuar pak më shumë se një vit më parë.

Ndërkohë, Korporata e Bashkuar e Ndërtimit të Anijeve u tha se prodhonte “pothuajse të gjitha anijet luftarake të Rusisë” dhe u penalizua veçmas nga Departamenti i Shtetit së bashku me 28 filialet dhe tetë individë në bordin e saj.

Si rezultat, të gjitha pronat me bazë në SHBA që u përkasin dy kompanive dhe filialeve të tyre do të sekuestrohen. Departamenti i Thesarit vuri në dukje se shtetasve amerikanë do t’u ndalohet gjithashtu të bëjnë biznes me këto subjekte.

Masat pasojnë një sërë sanksionesh të vendosura nga administrata e Joe Bidenit ndaj Moskës, për të dëmtuar dhe “izoluar” ekonominë e Rusisë. Më herët të enjten, Bashkimi Evropian votoi për një embargo të plotë ndaj energjisë ruse, megjithëse rezoluta jodetyruese mund t’i lejojë disa shtete anëtare të shmangin vendimin, përkatësisht vendet që mbeten të varura nga nafta, qymyri ose gazi rus. Propozimi kaloi me shumicë dërrmuese me 513 vota pro, 22 kundër, dhe me 19 abstenime.