Vendosni fjalën kyçe....

Duma i kërkon Bashës të pranojë humbjen


Nënkryetarja e PD-së Grida Duma i ka kërkuar Lulzim Bashës të pranojë humbjen në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit ndërsa i ka vënë në dukje që në fakt ai ka humbur shumë beteja.

Në mbledhjen e Grupit Parlamentar, Duma i tha Bashës se pretendon që po lufton kultin e individit në betejën kundër Sali Berishën por në fakt me deklaratat e dhëna duket sikur është më i rrënjosur.

Lideri në një parti politike është 90 % dhe numrat dy tre apo 27 çfarëdo të bëjnë nuk e zëvendësojnë dot, as përmirësojnë dot liderin. Dëgjova që e nisët fjalën tuaj kryetar duke thënë: ose me mua ose këtu do t’ju vijë Sali Berisha. Sali Berisha duke dashur t’ju mundë ju, mundi Partinë Demokratike. Në këtë garë për shkak të luftës midis Sali Berishës dhe jush, humbi Partia Demokratike. Në këtë betejë ne bëmë gjithçka të mos e bënim betejën Berisha kundër Bashës, por nuk e evituam dot. Ju thoni: sot këtu o të jem unë ose këtu do jetë Sali Berisha, pra o unë o askush nuk mundet. Çka do të thotë që kulti i individit që po luftojmë është edhe më i rrënjosur.

Nëse doni të jeni i sinqertë vërtetë ju keni humbur shume beteja, dhe nga ky pranim nis zgjidhja. Nëse doni të jeni i sinqertë bëni pyetjen troç. Ka dy pyetje të mundshme që mund të na bësh.

E para: Ju lutem bëhuni me mua të gjithë që unë të mbaj Partine Demokratike se kështu dua unë si individ.

Pyetja tjetër është: Si do bëjmë që përtej meje të ngremë Partinë Demokratike për vete Partinë Demokratike.

Cilën pyetje po na drejtoni të parën apo të dytën?”-mësohet të ketë thënë Duma.