Vendosni fjalën kyçe....

Ina Zhupa: PD do i fitojë të gjitha bashkitë, nuk shqetësohemi nga kandidatët e “Trekëndëshit të Bermudës”


Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, në konferencën e sotme për mediet, përveç aferës së inceneratorëve ka folur edhe për zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit.

Zhupa u shpreh e bindur se PD do të fitojë të gjashtë bashkitë në zgjedhjet vendore dhe se nuk shqetësohet nga kandidatët që do të ketë përballë.

“PD ka kaluar një proces nga të gjitha palët, edhe nga ata të ashtuquajturit Komision Rithemelimi, shumë të gjatë dhe shumë serioz për kandidatët. Kjo na shërben që ne të jemi gati edhe për zgjedhjet e pjesshme. Ne nuk kemi frikë për të qenë përballë trekëndëshit të Bermudës. PD do të ketë kandidatët më të mirë, duke ju besuar të gjithë atyre që mendojnë se e ardhmja politike në Shqipëri duhet të jetë më e mirë. Ne nuk shqetësohemi nëse përballë në Durrës apo në Shkodër është një ‘non grata’, dy ‘non grata’, apo tre ‘non grata’.

Nuk shqetësohemi ne nëse përballë janë tre kandidatë të trekëndëshit të Bermudës, apo është një kandidat i përbashkët. Ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet që demokratët të përfaqësohen nga njerëzit më të mirë, nga njerëz pa rekorde kriminale, pa afera.

Me këtë kartë ne kemi të garantuar fitoren në këto bashki, për sa kohë i drejtohemi me pastërtinë e një programi dhe pastërtinë e një kandidati. Nuk do të shqetësohemi fare nëse individë të caktuar i bashkohen një alternative të së shkuarës dhe jo PD, sepse shumica e shqiptarëve sot zgjedh të ardhmen dhe zgjedh PD-në.”– deklaroi Zhupa.