Vendosni fjalën kyçe....

Austria i bën vaksinat të detyrueshme, gjoba deri në 3 mijë e 600 Euro për ata që refuzojnë


Një shumicë dërrmuese e deputetëve austriakë votuan të enjten për të detyruar qytetarët e tyre të vaksinohen kundër Covid-19, duke vendosur gjoba deri në 3 mijë e 600 Euro për ata që refuzojnë.

Pasi 137 deputetë votuan për vaksinimin e detyrueshëm dhe vetëm 33 ishin kundër, projektligji tani shkon në dhomën e lartë për t’u debatuar dhe miratuar.

Ndërsa partitë qeverisëse të Austrisë kanë shumicën në këtë dhomë, kalimi i projektligjit është praktikisht i garantuar.

Partia e Lirisë së krahut të djathtë ishte e vetmja parti që kundërshtoi vaksinimin me detyrim në parlament. E vendosur të hyjë në fuqi më 1 shkurt, projektligji do të kërkojë që çdo i rritur austriak, përveç grave shtatzëna ose atyre që përjashtohen për arsye mjekësore, të vaksinohen kundër Covid- 19.

Gjobat për ata që refuzojnë do të fillojnë të zbatohen nga mesi i marsit dhe qytetarët që nuk respektojnë kushtet do të goditen përfundimisht me gjoba maksimale prej 3,600 euro (4,000 dollarë).

Ligji do të fuqizojë autoritetet të mbajnë një bazë të dhënash për statusin e vaksinimit të çdo qytetari dhe datën e skadimit të statusit të përmendur, e cila mund të kërkohet nga zyrtarët. Ligji do të qëndrojë në fuqi deri në vitin 2024.

Vaksinimi i detyrueshëm u propozua për herë të parë nga qeveria austriake në nëntor dhe njoftimi shkaktoi protesta masive. Në atë kohë, Austria kishte një nga normat më të ulëta të vaksinimit në Evropë, e cila që atëherë është ngjitur mbi mesataren e BE-së. Aktualisht, pak më shumë se 70% e austriakëve janë plotësisht të vaksinuar, sipas shifrave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.