Vendosni fjalën kyçe....

“Berisha tregoi se ka mbetur ai i ’97-ës, PD të hapet dhe ripozicionohet”- Çfarë tha Grida Duma në Kryesi


Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Grida Duma në në mbledhjen e djeshme të Kryesisë është shprehur se me atë që Sali Berisha bëri më 8 janar u tregoi shqiptarëve se ka mbetur po ai i 1997-ës.

Sipas fjalës së saj të zbardhur nga “Balkanweb”, Duma nuk la pa kritikuar as Lulzim Bashën, duke thënë se nuk mund të bëhet beteja për godinën si lufte guerilje.

Ajo bëri dy kërkesa: Dalje në terren dhe një ofertë e re për shqiptarët.

Në mbledhjen e Kryesisë të mbajtur një ditë më parë, u vendos për përjashtimin e ish-kryeministrit Berisha nga PD si dhe 7 anëtarëve të Komisionit të Rithemelimit.

Fjala e Dumës:

Kryetar,
Marrja e vendimeve në kohë është më e rëndësishme se vetë vendimi. Ne marrim vendime me vonesë.

Pas 9 shtatorit, kur u mor vendimi mbi non gratën, çdo ditë ju kam thënë e kërkuar të qartësosh njerëzit e demokratët për si dhe pse u mor ky vendim. Nuk do ishim këtu sot nëse do kishim qartësuar njerëzit për 4 muaj dhe do i kishim marrë këto vendime më parë.
Berisha u la të forcohej, dhe u forcua sepse nuk vepruam. Por fatmirësisht dhe për shkak të Zotit, e jo të veprimeve tona, ai në datën 8 janar pas dhunës vandale dhe terrorit, që mund të kishte sakrifikuar jetë njerëzish, gaboi vetë dhe i tregoi shqiptarëve që kishte mbetur ai i ‘97, pa asnjë reflektim.
Sot mendoj që gjërat duhen thënë hapur. Po, ne jemi kompleksuar!! Kompleks kudo, veprojmë vonë, marrim vendime vonë, jemi të vonuar të flasim troç me njerëzit, e lëmë kundërshtarin të ecë një hap përpara.
Sa i përket godinës, nuk mundemi ne ta bëjmë betejën për godinën si luftë guerile. Asnjë kompleks nuk mund të kesh të kërkosh policinë të veprojë. Si mundet ne të pretendojmë që do mbrohet godina e partisë me hekura blinda dhe hunj dhe të kompleksohemi që të veprojnë institucionet. Po duhet të veprojë policia dhe sepse ndërhyri policia u evitua gjakderdhje, t’i themi gjërat siç janë. Për pak minuta mund të kishte gjak, dhe gjakun po presin disa dhe ne e dimë mirë.
Por institucioni mbrohet me institucion dhe jo trupa njerëzish që bëhen theror. Unë nuk mbroj dot hekurat e blindimit, dhe nëse është çështja për një zyrë të vogël që përdor aty poshtë, çdo demokrat të vijë ta përdorë si të vetën përditë.
Godina e PD duhet të ç’mitizohet. Le të hapet godina dhe për simbolikë të mbrohet zyra juaj, si institucioni i kryetarit. Duhet të bëjmë opozitë e politikë, jo guerile për të mbrojt godinën. Sic e patë nuk hyri njeri brenda të nesërmen kur e kishin të shkatërruar të thyer, as guxuan të hyjnë e të merrnin zyrën kur vinin e bënin shoë tek shkallët disa herë. S’mund të na mbajë peng me këto komplekse askush!
Pas asaj që ndodhi duhet të shkojmë në terren para demokratëve me urgjencë dhe me një ofertë të re. Duhen ndryshime të tjera në parti. Nëse është e nevojshme duhen ripozicionuar njerëzit, e kush ka bërë betejë të jetë në krye të punëve dhe të ndjekim vetëm meritën e njerëzve jo më thjeshtë procedurat. Partia s’mund të jetë më me gjuhë monokolor, duhet t’i flasë të zhgënjyerve, duhet të bëjë kritike reale me veten dhe t’i japë vendin më të sakrifikuarve e t’i njohë meritën atyre që i duhen partisë. Thënë kjo na duhet një ofertë e re e madhe dhe me të gjitha ngjyrat pa asnjë kompleks. Ngritja do fillojë nga këtu, njerëzit nuk kanë çfarë na japin më na i kanë dhënë të gjitha, jemi ne që duhet të ofrojmë.