Vendosni fjalën kyçe....

Vuçiç flet për djegien e flamujve serbë në Tiranë: Mos më detyroni t’ju flas se në çfarë presioni ndodhet Rama


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka folur në një intervistë lidhur me djegien e flamujve serbe në Tiranë, gjatë vizitës së tij për Samitin e “Open Balkan”.

Gjatë një interviste të dhënë për “TV Prva”, Vuçiç tha se djegia e flamujve është akt i paqytetëruar, ndërsa u kërkoi gazetarëve që mos ta detyrojnë të flasë se në çfarë presioni gjendet kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Më vjen keq të them atë që askush në Serbi nuk dëshiron të dëgjojë. Para se të vinin Zoran Zaev dhe Edi Rama në Beograd, edhe ne ua hoqëm e dogjëm flamujt këtu. Sigurisht që është keq, tmerr, është e paqytetëruar të digjen flamujt e të tjerëve, por jam i kënaqur me reagimin e Ramës dhe të një pjese të mirë të shoqërisë shqiptare, si dhe me reagimin e një pjese të mirë të shoqërisë serbe.”- tha Vuçiç për Televizionin Prva, citon RTV.

Vuçiç tha gjithashtu se Serbia ka marrëdhënie të mira dhe miqësore me Shqipërinë dhe shtoi se Rama është nën presion të madh për këtë, ndër të tjera nga Prishtina.

“Ne kemi marrëdhënie të mira dhe miqësore me Shqipërinë, mos më detyroni të them se në çfarë presionesh ndodhet Rama për marrëdhënie të tilla nga Prishtina dhe në të gjitha mënyrat e tjera, por ai sheh të ardhmen e shqiptarëve në këtë. Unë dua që biznesmenët dhe punëtorët e tyre të ndihmojnë në ndërtimin e të gjithë Ballkanit. Unë dua që ne të shkojmë pa kufij, të krijojmë ambientin më të mirë të mundshëm dhe të kuptojmë më mirë njëri-tjetrin.”- shprehet presidenti serb.

Ai tha se Ballkani i Hapur është “projekti më i madh i paqes që Ballkani e ka bërë vetë” dhe vlerësoi se nisma, pjesë e së cilës janë Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, “mund të jetë një makinë për rritjen dhe zhvillimin e të gjithëve.”