Vendosni fjalën kyçe....

Merr flakë trageti në Bangladesh, flitet për 39 viktima dhe rreth 100 të plagosur


Të paktën 39 persona u vranë dhe rreth 100 të tjerë u plagosën pasi një traget i mbushur me njerëz mori flakë në jug të Bangladeshit.

BBC shkruan se zjarri në anije filloi në mes të lumit pranë qytetit të Jhalakathi, ndërsa lundronte nga kryeqyteti Dhaka për në qytetin e Barguna;

Disa prej viktimave u mbytën pasi u hodhën në ujë për t’u shpëtuar flakëve.

Numri i viktimave në fatkeqësinë e së premtes ka të ngjarë të rritet pasi shumë nga pasagjerët kanë djegie të rënda.

Rreth 500 persona thuhet se ishin në bordin e anijes, MV Avijan-10. Zyrtari i shërbimit zjarrfikës Kamal Hossain Bhuiyan tha për mediat lokale se zjarri besohet të ketë filluar në dhomën e motorit dhe u përhap shpejt ndërsa trageti udhëtoi përgjatë lumit Sugandha rreth orës 03:00 sipas orës lokale.

Mësohet se zjarri ka vazhduar për orë të tëra.

Pronari i anijes, Hum Jalala Sheikh, ka mohuar se zjarri ishte shkaktuar nga një defekt mekanik. Ai tha për gazetën lokale UNB se kishte pasur një shpërthim në katin e dytë të tragetit dhe zjarri i mëpasshëm ishte përhapur në dhomën e motorit.

Një pasagjere që mbijetoi, një gjyshe e moshuar, i tha agjencisë së lajmeve AFP se shumica e njerëzve kishin qenë duke fjetur në momentin kur shpërtheu zjarri.

“Ne ishim duke fjetur në një dyshek në kuvertën e katit përdhes.”– tha ajo. “Nipi im nëntë vjeçar, Nayeem, ishte me mua, ai u hodh në lumë. Nuk e di se çfarë ndodhi me të.”

Një grua tjetër, e cila po udhëtonte me babanë, motrën dhe nipin gjashtë muajsh, tha se fëmija i vogël ishte zhdukur.

“Kur shpërtheu zjarri, foshnjën ia dhashë një burri. Ai po përpiqej ta shpëtonte fëmijën. Por tani nuk mund t’i gjejmë.”- tha ajo.

Një burrë që ishte në bordin e tragetit tha se anija dukej se kishte probleme me motorin përpara zjarrit dhe më vonë u mbush me tym.