Vendosni fjalën kyçe....

Unioni i Gazetarëve dhe Instituti Shqiptar i Medias thirrje kolegëve: Ndaloni raportimet sensacionale për vrasjen e të miturit në Fier


Unioni i Gazetarëve dhe Instituti Shqiptar i Medias kanë bërë thirrje për gazetarët që të ndalojnë raportimet sensacionale mbi vrasjen e të miturit në Fier.

Në një njoftim, Instituti Shqiptar i Medias u kujton gazetarëve se “raportimi i detajeve me sensacionalizëm dhe trajtimi i papërshtatshëm i familjes së prekur, si dhe i procedimeve të çështjes në vetvete, janë në shkelje të Kodit të Etikës të Medias, sidomos në lidhje me ndërhyrjen në jetën private, raportimin e aksidenteve dhe fatkeqësive, si dhe me mbrojtjen e fëmijëve.”

Në njoftimin e shpërndarë më pas edhe nga Unioni i Gazetarëve, thuhet se është vërejtur një marrje informacioni në mënyrë joetike nga familjarët e të miturit, e shoqëruar kjo edhe me shkelje të privatësisë, ndërhyrje të tepruar dhe të panevojshme në jetën e familjarëve, si dhe dhunim në shkallë të gjerë të audiencës.

Gazetarëve u kujtohet Kodi i Etikës, në të cilin theksohet qartë që “interesi publik” nuk e justifikon informacionin që është “interesant për publikun.”

NJOFTIMI I PLOTË

Thirrje për mediat: Ndalimi i raportimeve sensacionale lidhur me vrasjen e të miturit në Fier

Rrjeti i Raportimit të Diversitetit 2.0, i shqetësuar për mënyrën se si mediat po raportojnë mediatikisht rastin e vrasjes makabre të të miturit nga Fieri, reagon nëpërmjet këtij postimi duke tërhequr vëmendjen e personave që qëndrojnë pas titujve dhe raportimeve sensacionale, me qëllim marrjen e masave për ndalimin e praktikave raportuese të dëmshme. Jo vetëm natyra e krimit, por veçanërisht mënyra se si është raportuar, kanë tronditur thellë opinionin publik shqiptar.

Raportimi i detajeve me sensacionalizëm dhe trajtimi i papërshtatshëm i familjes së prekur, si dhe i procedimeve të çështjes në vetvete, janë në shkelje të Kodit të Etikës të Medias, sidomos në lidhje me ndërhyrjen në jetën private, raportimin e aksidenteve dhe fatkeqësive, si dhe me mbrojtjen e fëmijëve. Është vërejtur një marrje informacioni në mënyrë joetike nga familjarët e të miturit, e shoqëruar kjo edhe me shkelje të privatësisë, ndërhyrje të tepruar dhe të panevojshme në jetën e familjarëve, si dhe dhunim në shkallë të gjerë të audiencës.

Raportimi i krimit dhe dhunës kanë qenë tërësisht të sensacionalizuara dhe është vënë re një mungesë e theksuar vetëpërmbajtjeje nga ana e mediave, të cilat me raportimet e tyre kanë cenuar psikologjikisht dhe emocionalisht jo vetëm familjen e prekur nga tragjedia, por mbarë publikun.

Gazetarët janë të detyruar të respektojnë vuajtjen dhe ndjenjat e familjarëve, si dhe të tregojnë maturi me fotot, pamjet, videot e skenës së krimit dhe të pasojave të tij, të cilat në rastin në fjalë kanë kaluar çdo kufi të mundshëm. Raportimi i papërshtatshëm për krime të tilla jo vetëm cenon publikun, por mbi të gjitha shpërfill plotësisht vuajtjen e individëve të prekur nga ky krim, madje duke e shfrytëzuar këtë vuajtje, e për rrjedhojë çon në përkeqësimin e gjendjes mendore të familjes dhe komunitetit të prekur.

U rikujtojmë redaktorëve të lajmeve dhe gazetarëve se vlerat njerëzore qëndrojnë mbi gjithçka dhe si të tilla duhet të kenë përparësi ndaj nevojës për të informuar, veçanërisht kur informacioni i dhënë nuk është domosdoshmëri e interesit publik. Kodi i Etikës e shpreh qartë: “Interesi publik legjitim nuk justifikon sensacionalizmin dhe në frymën e këtij Kodi, nuk duhet ngatërruar kurrë me informacionin që është “interesant për publikun.”