Vendosni fjalën kyçe....

“Pastroni ose sanksione” – Rama paralajmëron kryebashkiakët dhe ulet të mbledhë vetë mbeturinat në pyllin e Sodës në Vlorë


Kryeministri Edi Rama paraditen e sotme i është bashkuar nismës për pastrimin e territorit, që ka nisur nga pylli i Sodës në Vlorë, për të vijuar më tej edhe në pjesë të tjera të vendit.

Gjatë një fjalimi, Rama u ka kujtuar kryebashkiakëve paralajmërimin e tij që të pastrojnë territorin e bashkive të tyre pasi në të kundërt do të ketë sanksione ligjore për ata që nuk marrim masa.

“Të gjithë kanë përgjegjësi, por është koha që përgjegjësitë të kërkohen nga gjithsecili. Ne e kemi bërë të qartë dhe jemi në rrugën e zbatimit të asaj që kemi thënë dhe që e kam bërë të qartë ditën e prezantimit të programit të qeverisë se re në Kuvend. Asnjë bashki s’do i lejohet të bëjë gjë tjetër nëse nuk garanton të gjitha burimet financiare të nevojshme për pastrimin, nëse nuk garanton që ato burime përkthehen në rezultat konkret, territor të pastër dhe qëndrueshmërisht të pastër. Për herë të parë ministria e Mjedisit ka kostuar se sa i kushton çdo bashkie pastrimi. Në bazën e kostimit ka nxjerrë edhe objektivin për buxhetin e vitit tjetër të çdo bashkie.

Ministrja personalisht bashkë me të deleguarit do të jenë të pranishëm në mbledhjet e Këshillave bashkiakë. Çdo bashki sot ka në dispozicion një pikë fundore për mbetjet dhe është e patolerueshme që ato të grumbullohen në mes të rrugës. Pikat fundore janë qoftë pikat teknologjike të trajtimit të mbetjeve, apo landfillet. Asnjë bashki s’do të lejohet për arsye apo justifikim që në vend që t’i çoj mbështetjet e veta në pikat fundore, të krijojë pika të paligjshme. Ligji parashikon sanksione për kryetarët e bashkive dhe bashkitë. Është e patolerueshme që kryetarët e bashkive bregdetare ta konsiderojnë këtë si punë angari. Gjithçka tjetër mund të mos jetë në maksimumin, por pastrimi po. Do të vendosim një fond ekstra për bregdetin dhe do të krijojmë një task-forcë për Bregdetin që do iu vijë në ndihmë bashkive për buxhetin e ardhshëm. Çdo këshill bashkiak do ta rrëzojë buxhetin e kryetarëve të bashkive, nëse taksa s’do të shkojë për pastrimin e zonës.

Nuk do tolerohet asnjë biznes në bregdet që nuk do nxjerrë mbetjet e veta të paketuara përpara zonës ku bën aktivitetin në një orë të caktuar. Bashkitë duhet të organizohen që brenda 1 orë ne fund të ditës të grumbullojë të gjitha mbetjet, nuk do lejohen thasë të zinj mbetjesh të hedhur të kazani. Këto nuk janë për bizneset por për konsumin individual. Për këtë paralelisht me incentivat. Kemi dhe fondin e inkurajimit, për bashkitë që bëjnë punën me sukses, duke ua rikthyer atë që shpenzojnë për pastrimin.” – deklaroi Rama.

Pak pas fjalimit dhe porosive që u dha kryebashiakëve, Rama u ul dhe nisi të mbledhëedhe ai vetë mbeturina.