Vendosni fjalën kyçe....

Në frontin e parë të luftës me Covid-19 që në fillim, infermierja amerikane pushohet nga puna pasi nuk pranoi të bënte vaksinën


Victoria Jensen, është një infermiere e cila kohët e fundit u bë virale pasi filmoi veten ndërsa po e nxirrnin jashtë spitalit ku punonte, pasi kishte refuzuar të bënte vaksinën anti-Covid.

Ajo ka vendosur të flasë në një prononcim për RT-në se besimet e saj fetare nuk ishin marrë seriozisht.

“Unë bëra një zgjedhje për veten time dhe mendoj se të gjithë duhet të kenë lirinë për të bërë zgjedhjen e tyre personale.”– tha Jensen për vendimin e saj për të refuzuar vaksinën, e cila tani kërkohet për pothuajse të gjithë punonjësit federalë si dhe ata që punojnë për kompanitë me më shumë se 100 punonjës.

Jensen bëri bujë këtë javë kur u përzu nga Spitalin Kaiser Permanente në San Diego, Kaliforni. Kjo pavarësisht se ajo kishte qenë një nga infermierët që kishte punuar në frontin e parë të luftës me Covid-19, në kulmin e pandemisë.

“Unë nuk e di se çfarë lloj pandemie është nëse ata po pushojnë infermierët që janë të gatshëm të punojnë.”- tha ajo në videon pesëminutëshe, e cila ka miliona shikime.

Jensen pretendon se ajo u pushua nga puna pasi kërkoi një përjashtim fetar në lidhje me mandatin e vaksinës, por iu refuzua mundësia. Ajo nuk i specifikoi bindjet e saj fetare në video, por në një intervistë të re me RT, Jensen thotë se ka të bëjë me besimin e saj të krishterë.

“Doja të merrja përgjigje nga spitali se pse një person i rastësishëm i burimeve njerëzore po vendoste që jetesa ime tani ishte në rrezik sepse ata nuk besonin se unë kisha vërtet besime të sinqerta në besimin tim të krishterë. Është disi surreale, sinqerisht, sepse e dua punën time dhe kam qenë një infermiere Covid që nga fillim.”– tha Jensen.

Shumë njerëz, thotë ajo, nuk donin të merrnin vaksinën, por u ndjenë “të presionuar për ta bërë këtë”, për shkak të shqetësimeve për humbjen e mundshme të mjeteve të jetesës (pra punës).

“Unë e respektoj vendimin e tyre dhe lirinë e tyre mjekësore. Unë i respektoj njerëzit që nuk janë dakord me mua. Kjo është Amerika. Është një gjë e bukur kur mund të mos pajtoheni me njëri-tjetrin. Kjo është liria.”- shprehet infermierja, e cila tregon se arsyeja se pse ajo u pushua është se nuk e besuan që besimi fetar të jetë arsyeja e vërtetë se përse nuk dëshiron të bëjë vaksinën.

Spitali i infermieres i është përgjigjur videos së Jensen duke thënë se: “Ne u njoftuam nga disa nga partnerët tanë të punës dhe të tjerë për diskutimet e hapura online rreth mënyrave për të shmangur mandatin e vaksinës duke keqpërdorur procesin legjitim të përjashtimit fetar.”

Dr. Andrew Bindman, shefi mjekësor i Kaiser Permanente vazhdoi të pretendonte se stafi që aplikonte për përjashtime fetare po dorëzonte kërkesa “të ngjashme ose pothuajse identike” me ato që qarkullojnë online.