Vendosni fjalën kyçe....

Lavrov vizitë zyrtare në Beograd: Pranojmë çdo zgjidhje me Kosovën që i përshtatet Serbisë


Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov pas një takimi që zhvilloi në Beograd me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq deklaroi se shteti i tij është i angazhuar në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, në kuadër të dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit, duke shtuar se një zgjidhje eventuale do të duhej të miratohej nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.

Lavrov tha se Rusia do të pranonte çdo zgjidhje “që do t’i përshtatej Serbisë dhe popullit serb”.

Lavrov gjendet në Beograd ku do të marrë pjesë në samitin e Lëvizjes së të Painkuadruarve.

Ai po ashtu tha se gjatë komunikimeve me Bashkimin Evropian, Moska gjithmonë ia kujton përgjegjësinë Brukselit që ka për dialogun dhe shtoi se “është koha që të zbatohen marrëveshjet e arritura vite më parë”, veçanërisht Marrëveshja për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, raporton REL.

Kryediplomati rus tha se me Vuçiqin bisedoi edhe për situatën në Ballkan dhe deklaroi se Serbia është “faktor më i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit në rajon” dhe se “opinioni i saj duhet të merret parasysh në të gjitha çështjet”.

Ai po ashtu theksoi rëndësinë e “partneritetit strategjik midis Serbisë dhe Rusisë” dhe shtoi se ekziston një dialog konfidencial midis udhëheqësve të të dyja vendeve.

“Unë përcolla përshëndetjet e ngrohta të presidentit (Vladimir) Putin dhe ne jemi të vendosur ta vazhdojmë dialogun në nivelin më të lartë. Ne jemi duke e shqyrtuar mundësinë e takimit mes dy presidentëve dhe do të dakordohemi për takimin”, deklaroi Lavrov.

Kryediplomati rus hodhi poshtë akuzat se Moska po ndërhyn në punët e brendshme të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Ne kemi marrëdhënie të tilla me Serbinë dhe vendet e tjera në rajon dhe gjëja më e rëndësishme për ne është përfitimi reciprok dhe balanca e interesave”, theksoi ai.

Lavrov kritikoi BE-në pasi siç tha Brukseli po ndjek “një politikë që nuk është konstruktive”.

“Ata na thonë se ne nuk kemi të drejtë të ndërmarrim iniciativa në ato pjesë të botës ku BE-ja ka interesat e saj. Nuk kam nevojë të sqaroj se ky është një opinion neokolonial. Akuzat se Rusia dyshohet se shkel disa norma të e drejta ndërkombëtare në Ballkanin Perëndimor janë të pabazuara,” tha Lavrov.