Vendosni fjalën kyçe....

“Mediat janë përgjegjëse për komentet në faqen e tyre” – Vendimi i Gjykatës së Lartë në Australi


Kompanitë australiane të mediave mund të jenë përgjegjëse për komentet e palëve të treta të bëra në postimet e tyre në mediat sociale pasi Gjykata e Lartë la në fuqi një vendim mbi një çështje nga një adoleshent i burgosur më parë, i cili paditi kompanitë mediatike për komentet rreth tij.

Vendimi i së mërkurës krijon një precedent që zbatohet për kompanitë australiane të mediave, gjë që potencialisht i bën ato përgjegjëse lidhur me komentet nga përdoruesit e mediave sociale, njësoj sikur t’i kenë bërë vetë ato.

Vendimi vjen pas një apeli nga Nine Entertainment dhe News Corp në lidhje me rastin e Dylan Voller, i cili në vitin 2016 u filmua duke vuajtur trajtim mizor në një burg të vendit. Pamjet e Voller u postuan në internet nga mediat australiane dhe tërhoqën komente të cilat ai pretendoi se ishin shpifëse.

Voller paditi disa media mes të cilave edhe Sydney Morning Herald (tani në pronësi të Nine Entertainment), dhe News Corp’s Sky News Australia për komentet, duke pretenduar se ato ishin përgjegjëse për komentet e palëve të treta, duke shkaktuar një betejë ligjore katërvjeçare.

Kompanitë mbrojtëse të mediave argumentuan se nuk mund të konsideroheshin botues të komenteve të lexuesve të tyre.

Sidoqoftë, shumica e Gjykatës vlerësoi se përgjegjësia e një ‘botuesi’ varet nga fakti nëse ata, duke ‘lehtësuar dhe nxitur’ komunikimin përkatës, ‘morën pjesë’ në proces.

Kompanitë mediatike, ‘me krijimin e një faqeje publike në Facebook dhe postimin e përmbajtjes në atë faqe, lehtësuan, nxitën dhe në këtë mënyrë ndihmuan publikimin e komenteve nga përdoruesit e palëve të treta në Facebook,’ thuhet në vendim.