Vendosni fjalën kyçe....

Drejt Britanisë me kamionë për 25 mijë paund, policia angleze godet grupin shqiptar


Policia britanike ka goditur një grup shqiptarësh, të akuzuar për trafikimin e klandestinëve.

Përveç pesë të dyshuarve të mbajtur në Londër, dy arrestimet e tjera ishin në Surrey dhe Oxfordshire.

Mediet britanike raportojnë së shumë prej emigrantëve besohet se janë sjellë të fshehur pas sendeve në automjetet e punësuara posaçërisht për të kryer kontrabandë njerëzish duke përdorur një rrjet me lidhje në të gjithë Evropën.

Emigrantët thuhet se paguanin deri në 25,000 paund për t’u dërguar në Britani.

Por grupi i trafikut u zbulua pas prishjes së gjashtë përpjekje të ndryshme për të kaluar në tokën angleze,

Mes shtatë të arrestuarve në operacionin e zhvilluar në katër pika të ndryshme në Londër mendohet se është edhe kreu i grupit.

Policia britanike thotë gjithashtu se rreth 30,000 paund u gjetën dhe sekuestruan gjithashtu, megjithëse besohet se përfitimet nga ky aktivitet i paligjshëm arrinin në qindra mijëra paund.

Të gjithë të arrestuarit po merren në pyetje, pasi policia dyshon se bëhet fjalë për një rrjet më të gjerë personash të përfshirë. Komandati Richard Harrison, i cili u angazhua në këtë operacion, ka thënë për mediat se grupi i shqiptarëve kishte rrezikuar sigurinë e emigrantëve të kontrabanduar si dhe sigurinë e kufirit britanik.

 “Ne besojmë se këto arrestime do të kenë prishur në mënyrë të konsiderueshme një rrjet të organizuar kriminal përgjegjës për të kontrabanduar qindra persona drejt Britanisë në mënyrë të kundërligjshme.”- tha ai.

Zëvendës Drejtori i NCA-së, Andrea Wilson u bëri thirrje shoferëve të kamionëve të mos rrezikojnë punën dhe jetën e tyre për t’iu bashkuar rrjeteve të trafikimit të njerëzve: “Unë gjithashtu kam një mesazh sot për shoferët, komercialë ose jo, të cilët do të konsideronin të ndihmonin këto rrjete të organizuara kriminale duke transportuar emigrantë në emër të tyre.

Mos e bëj. Dënimet për ata që kapen janë të rënda dhe ndryshojnë jetën. Thjesht nuk ia vlen të rrezikosh”.