Vendosni fjalën kyçe....

Drejtori i CIA-s takim sekret në Kabul me liderin e talebanëve


Drejtori i CIA-s William Burns ka zhvilluar një takim sekret në Kabul me liderin e talebanëve. Mediet ndërkombëtare, mes të cilave  “Washington Post”, raportojnë se Burns ka takuar Abdul Ghani Baradar.

Talebanët u kanë vënë afat amerikanëve fundin e gushtit për të lëvizur nga Afganistani dhe koha po shtrëngon. Edhe pse SHBA-të, bashkë me Gjermaninë dhe Francën kanë kërkuar shtyrje të afatit final për evakuimet, sërish talebanët kanë njoftuar se nuk do i lejojnë pas 31 gushtit.

“Vendimi i presidentit Biden për të dërguar spiunin e tij të lartë, një veteran i Shërbimit të Jashtëm dhe diplomati më i dekoruar në kabinetin e tij, vjen mes një përpjekjeje të furishme për të evakuuar njerëzit nga aeroporti ndërkombëtar i Kabulit në atë që presidenti e ka quajtur “një nga transportet ajërore më të mëdha dhe më të vështirat në histori.”, shkruan “Washington Post”.

Si çdo takim sekret, sidomos kur bëhet fjalë për CIA-n amerikane, përmbajtja e bisedës Burns-Baradar realizuar ditën e hënë mbetet e fshehtë.

CIA nuk ka dhënë asnjë konfirmim zyrtar të takimit, ndërsa burim për mediet ndërkombëtare janë zyrtarë që nuk identifikohen./Hashtag.al