Vendosni fjalën kyçe....

Me radiomarrëse dhe kubikë me kanabis gati për mbjellje, arrestohen dy vëllezërit në Skrapar


Dy vëllezër kanë rënë në prangat e policisë në Skrapar, pasi akuzohen se kanë tentuar të kultivojnë lëndë narkotike.

Të arrestuarit janë Emiljano dhe Ardenis Rama, 39 dhe 35-vjeç respektivisht, të cilëve gjatë një kontrolli, policia u ka sekuestruar në tokën e tyre disa kubikë me fidanë të dyshuar si cannabis sativa.

 “Shërbimet e Policisë Skrapar, në bazë të informacioneve të siguruara, në vijim të kontrollit të territorit, me qëllim evidentimin dhe goditjen e rasteve të tentativës për kultivim të bimëve narkotike, kanë evidentuar në fshatin Barçë, Skrapar, kubikë me fidanë të dyshuar cannabis sativa.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Skrapar arrestuan në flagrancë shtetasit E. R., 39 vjeç dhe A. R., 35 vjeç (vëllezër), të dy banues në fshatin Barçë. Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë kanë gjetur kubikë me fidanë të dyshuar cannabis sativa pranë tokës në pronësi të këtyre shtetasve.”- thuhet në njoftimin e Policisë.

Gjithashtu, edhe në banesën e shtetasit Emiljano Ramës u gjetën fara të dyshuara cannabis sativa dhe një radio dore komunikuese.