Kreu i Partisë Demokratike ka thënë sot se selia blu është e qartë në qëndrimin e saj kundër përpjekjeve të Iranit për veprime terroriste në Shqipëri si dhe kundër eksportimit të fondamentalizmit në vend e rajon.
Kryedemokrati e bëri deklaratën gjatë pjesëmarrjes online në Samitin ‘Irani i lirë 2021’.
Ai shtoi se selia blu mbështet popullin e këtij vendi për një Iran demokratik e jobërthamor.
“Partia Demokratike e Shqipërisë e ka shprehur qartë pozicionin e saj. Ne kemi një pozicion të fortë kundër tentativave të regjimit iranian për veprime të paligjshme e terroriste në tokën tonë, si dhe kundër përpjekjes së tij të strukturuar për eksportimin e fondamentalizmit në Shqipëri dhe në rajonin tonë. Ne mbështesim popullin iranian dhe qëllimin e tij për një Iran demokratik e jo-bërthamor. Ne mbështesim dëshirën e popullit iranian për ndryshim dhe e vlerësojmë zonjën Rajavi dhe përpjekjet e saj për t’i ofruar popullit të Iranit perspektivën e një vendi të lirë, laik dhe demokratik.” – tha ndër të tjera Basha gjatë fjalës përshëndetëse.