Vendosni fjalën kyçe....

Ndarja e Bill dhe Melinda Gates, çifti nuk kishin një kontratë paramartesore


Bill dhe Melinda Gates njoftuan ndarjen e tyre pas 27 vitesh martesë, e me sa duket ata nuk kanë firmosur asnjë kontratë paramartesore.

Lajmi për divorcin e tyre ishte befasues për publikun që, siç ndodh shpesh me çiftet e njohura, nisi spekulimet mbi mënyrën se si do ndahej pasuria e tyre.

Sipas dokumenteve të gjykatës të marra nga “TMZ”, ata nuk kanë asnjë kontratë paramartesore. Për më tepër, Melinda Gates e cila është 56 vjeç, nuk do të kërkojë mbështetje financiare nga ai pas divorcit.

“Pas shumë mendimesh dhe shumë pune në marrëdhëniet tona, ne kemi marrë vendimin për t’i dhënë fund martesës sonë.”-tha çifti në një deklaratë të përbashkët të publikuar ditën e djeshme. “Gjatë 27 viteve ne kemi rritur tre fëmijë të mrekullueshëm dhe ndërtuam një fondacion që punon në të gjithë botën për të mundësuar të gjithë njerëzit të bëjnë jetë të shëndetshme dhe produktive”.

Biznesmeni shpjegoi se ai dhe Melinda “do të vazhdojnë punën e tyre së bashku në fondacion”.

Sipas revistës Forbes, Bill Gates ka një vlerë neto prej 130.5 miliardë dollarësh, ndërsa Celebrity Net Worth e rrit numrin në 146 miliardë dollarë.

Fondacioni Bill & Melinda Gates është fondacioni më i madh bamirës privat në botë. Sigurisht, Bill është më i njohur për themelimin e Microsoft në 1975 me Paul Allen. Por ai është distancuar nga kompania kohët e fundit, duke u larguar si anëtar i bordit pranverën e kaluar. Ai gjithashtu ka shitur ose dhuruar pjesën më të madhe të aksioneve të tij në kompaninë e teknologjisë dhe tani ai zotëron vetëm pak më shumë se 1% të aksioneve.

Bill dhe Melinda kanë tre fëmijë së bashku: Jennifer 25-vjeçe, Rory 21-vjeç dhe Phoebe 18-vjeçe. Ata jetojnë sëbashku në një rezidencë në Uashington.