Vendosni fjalën kyçe....

Rama nga Skrapari: Kur nisi krisja me Metën, më tha se Reforma në Drejtësi nuk do bëhet


Kryeministri Edi Rama ka sulmuar sot presidentin Ilir Meta nga vendlindja e tij, Skrapari. Ai foli gjatë për marrëdhënien mes tyre, duke thënë se i është falenderues që e njohu me kanionet dhe e ka futur në shtëpinë e skraparlinjve, por theksoi se gjërat mes Metës dhe PS-së kanë mbërritur në pikën ku nuk ka më kthim pas.

“Ilir Metës unë i jam falënderues sepse më ka bërë të njihem me një nga eksperiencat më të bukura që njeriu mund të ketë në gjithë Shqipërinë, në kanionet dhe i jam falënderues sepse ka qenë ai që më ka futur në shtëpitë tuaja. Nuk do të doja kurrë që gjërat mes Ilir Metës dhe familjes së madhe socialiste të kishin arritur në këtë pikë,ku s’ka kthim mbrapa.

Në vitin 2009, Skrapari nuk e votoi, e bekoi ilir Metën, i dha një bekim shumë të madh, në një betejë të cilën ai e nisi për arsyet e asaj kohe dhe në një betejë ku u duk sikur partia që ai krijoi ishte aty për tju dhënë hapësirë dhe vend shumë njerëzve të mirë, të ndershëm, të rinjve që nuk ndiheshin mirë, të përfshirë. Patjetër që në atë kohë, sfida që bëri Ilir Meta, ishte shumë e madhe dh enë atë sfidë ishte Skrapari fuqia që i dha atij një shtytje shumë të rëndësishme për të mos e humbur sfidën. Aty ishte dhe Spartaku, në 2005. Ishin edhe shumë të tjerë, pastaj gjërat ndryshuan. nën ndikimin e Spartakut, të tjerëve por dhe dëshirën time për t’i dhënë komunitetit socialist një mundësi të re, ne u bashkuam dhe fituam.

Pastaj përsëri u ndamë dhe kthehem prap te 2009, ishte po Skrapari që i tha qëndro. Ilir Meta bëri të pabëshmen, për Skraparin në radhë të parë, shkoi dhe u bashkua me Saliun, një forcë që me Skraparin nuk ka patur asnjë lidhje. Ilir Meta e ktheu Skraparin në një zonë ku peshorja u përmbys. Gjërat shkuan me bindjen se në fund të ditës, gjërat personale janë shumë të vogla përballë interesave të mëdha të vendit, u ndërtua një tjetër bashkim dhe dihet rezultati. Ne krijuam në qeveri shumë të fortë, me mbështetje shumë të fortë në Parlament. Në atë qeveri ne do të ndërmerrnin reformën më të vështirë, që askush nuk kishte guxuar ta imagjinonte, jo më ta ndërmerrte dhe ta çonte deri në fund.”- tha Rama.

Kryeministri ka treguar dhe momentin kur sipas tij nisi krisja e madhe me Presidentin Ilir Meta. Sipas tij, Meta i ka thënë se nëse e gjithë flota amerikane do i drejtojë gjylet drejt shtëpisë së tij, Reforma në Drejtësi nuk do të bëhet.

 “Kur paketa e reformës mori trajtën e vet përfundimtare, filloi krisja. Unë i jam shumë mirënjohës Nasipit, i cili në asnjë moment nuk e reflektoi në punë e tij si Ministër Drejtësi krisjen që kishte filluar mes meje dhe Ilir Metës, në fakt mes Ilir Metës dh e Reformës në Drejtësi. Arritëm në pikën që ose Meta do të votonte reformën ose do të prishej koalicioni. Ne nuk bëmë kompromis në dëm të reformës, Meta më ka thënë duke parë detin në Lalëz, e shikon tha, sikur flota e gjashtë amerikane të vij këtu, ti drejtojë tutat tek shtëpia ime, ajo reformë nuk votohet. Unë i thash do e votosh dhe mos shit dëngla lart e poshtë, e mos u hiq sikur je problemi. Ai ku i nxehet gjaku shikon vetëm ushtarë, heronj që ngrihen nga varri.”- tha Rama.