Vendosni fjalën kyçe....

Fatmir Mediu: Rama do të krijojë karantinë për opozitën, Komiteti Teknik të lërë hipokrizinë


Ndërkohë që anëtarët e Gjykatës Kushtetuese janë mbledhur sot për të shqyrtuar padinë e depozituar nga partia e tij, kreu i PR-së Fatmir Mediu ka dalë në një deklaratë për mediet ku shprehet se kryeministri Edi Rama po kërkon që të krijojë një karantinë “për opozitën”

Sipas Mediut, urdhri që ndalon grumbullimet me mbi 10 persona nuk zbatohet njëlloj për të gjithë.

Në padinë e depozituar në Gjykatën Kushtetuese që më 4 dhjetor të vitit 2020 e që po shqyrtohet sot, Partia Republikane kërkon shfuqizimin e këtij urdhrit të ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliut dhe Komitetit Teknik.

“Veprimtaritë e Edi Ramës tentojnë që të krijojnë karantinë për opozitën. Në një kohë që i ka lejuar vetes dhe përmes vlerësimeve të komitetit, që parlamenti të mblidhet, qeveria mund të mblidhet apo dhe pushteti lokal të bëjë aktivitete mbi 10 veta dhe kufizon opozitën shqiptare për të kryer aktivitete politike. Kjo është situatë e papranueshme, anti-kushtetuese dhe anti-ligjore. Nuk mund të ketë dy standarde për partitë politike apo dhe qytetarët.

Nuk mund të trajtohet ndryshe kryeministri në kohë pandemie, ndryshe qytetari, kryetari i bashkisë apo kryeparlamentari. Të gjithë jemi njerëz përballë të njëjtin rrezik. Duket qartë se nuk kemi më as ligje, as qeveri, por një një regjim të korruptuar që përpiqet që të imponojë në mënyrë të qëllimshme politike rregullat të cilat frenojnë marrëdhënien e drejtë të qytetarit me shtetin, me ligjin dhe me partitë politike, sidomos në një kohë fushate si kjo. Jemi për të respektuar çdo rregull, por që imponohen në mënyrë të barabartë tek të gjithë. E treta ne jemi në një fushatë elektorale dhe duhen përcaktuar qartësisht rregullat. Nëse flasim për respektimin e distancimit social, 10 veta në një sallë të vogël nuk është e barabartë me 10 veta në një sallë të madhe. Dhe duhet shpjeguar se si dhe qysh ne duhet ta mbrojmë. Kjo është detyra e Komitetit Teknik.”– deklaroi Mediu.

Mes të tjerash ai u bëri thirrje anëtarëve të Komitetit Teknik “që të lënë hipokrizinë” duke kujtuar rastin e zv.ministres Mira Rakacolli e cila mori pjesë në një takim të PS-së.

“Për më tepër duhet të lërë mënjanë hipokrizinë, që drejtues të Komitetit Teknik bëjnë aktivitete politike në favor të Partisë Socialiste mbi 10 veta, siç është rasti i zv.ministres dhe nga ana tjetër kërkojnë të gjobisin partitë politike të opozitës. Kjo është një situatë e papranueshme. Unë dua të vlerësoj punën e bërë nga përfaqësuesit juridikë të PR-së, në padinë që kanë paraqitur në Gjykatën Kushtetuese dhe vlerësimeve që kanë bërë.”-tha Mediu.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *