Vendosni fjalën kyçe....

Vrasja e Shkëlzen Kastratit në Fier/ Shpallen në kërkim 4 persona, dyshohet se janë larguar nga Shqipëria


Policia e Fierit thotë se ka zbardhur dhe dokumentuar me prova vrasjen e Shkëlzen Kastratit, që ka ndodhur më 1 shkurt të këtij viti.

Përmes një njoftimi për mediet, bëhet me dije se janë shpallur në kërkim katër persona të dyshuar për ekzekutimin e Kastratit.

Ata janë shtetasit Albert Zaja, Elmir Tufa, Silvio Cara dhe Elson Xhecuka. Uniformat blu dyshojnë se ata mund të jenë larguar drejt vendeve të BE-së.

Gjatë kontrolleve në banesat e personave të dyshuar, policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy automjetet që kanë përdorur autorët për t’u larguar nga vendngjarja.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të veprimeve hetimore të kryera nga strukturat hetimore të DVP Fier, në koordinimin nga Departamenti i Policisë Kriminale, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, si rezultat i provave të grumbulluara gjatë hetimeve, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes dhe identifikimi i autorëve.

Mbi bazën e provave të grumbulluara nga strukturat hetimore të DVP Fier, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier ka vendosur në mungesë masën “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim, për shtetasit:

  • A. Z., 37 vjeç dhe E. T., 29 vjeç, të dy banues Fushë Krujë;
  • E. Xh., 27 vjeç, banues në Kamzë, Tiranë;
  • S. alias R. C., 39 vjeç, banues në Tiranë.

Gjithashtu, në zbatim të vendimit të Gjykatës, nga ana e Policisë është ushtruar kontroll në banesat e këtyre shtetaseve. Në përfundim të veprimeve është bërë shpallja e tyre në kërkim kombëtar dhe vijon puna edhe për shpalljen në kërkim ndërkombëtar.

Gjatë veprimeve hetimore, strukturat e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe dy automjetet që janë përdorur nga autorët për të kryer vrasjen dhe për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Vijon puna për lokalizimin e tyre dhe po bashkëpunohet me homologët, pasi dyshohet se mund të jenë larguar drejt një vendi të BE-së.

Gjithashtu, nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna hetimore nga strukturat e Policisë, për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që mund të jenë të implikuar në këtë ngjarje kriminale./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *