Vendosni fjalën kyçe....

“Vaksina anti-covid s’ka të bëjë me gjeopolitikën, do marrim atë ruse ose kineze nëse na lejohet” – Kancelari austriak


Kancelari austriak Sebastian Kurz tha se ai do e marrë vaksinën anti-covid ‘Sputnik V’ të prodhuar nga Rusia ose një vaksinë të prodhuar nga Kina nëse ato certifikohen nga një rregullator evropian. Gjeopolitika nuk ka të bëjë fare me këtë çështje, shtoi ai.

Kurz u pyet nga gazeta gjermane ‘Welt am Sonntag’ nëse ai do të bënte personalisht Sputnik V apo një vaksinë të prodhuar nga kinezët. Ai u përgjigj: “Po, nëse vaksinat miratohen për Evropën.”

“Vaksinat kanë të bëjnë me efektivitetin, sigurinë dhe disponueshmërinë, jo me çështjet gjeopolitike.” – theksoi ai.

Kancelari shtoi se Austria ‘patjetër’ do të përpiqet të rregullojë infrastrukturën për vaksinat ruse e kineze nëse ato janë të certifikuara nga rregullatori evropian.

“Ka të bëjë me marrjen e vaksinave më të sigurta sa më shpejt të jetë e mundur, pavarësisht se kush i ka prodhuar ato.” – tha ai.

Fqinji i Austrisë, Hungaria miratoi Sputnik V dhe një vaksinë kineze të bërë nga Sinopharm për përdorim emergjent muajin e kaluar.

Brukseli, megjithatë u ka kërkuar vendeve të BE-së që të mos përdorin vaksinat që nuk janë certifikuar nga Agjencia Evropiane e Barnave.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *