Vendosni fjalën kyçe....

Ky është gjimnasti rus që i dhuroi medaljen e artë Shqipërisë (VIDEO)


Pak ditë më parë, Shqipëria ka arritur të fitojë një medalje të artë në Kampionatin Evropian të Gjimnastikës, falë atletit me origjinë ruse, Matvei Petrov.

Matvei Petrov ka fituar medaljen e artë për Shqipërinë në Pommel Horse në Turqi, një rezultat historik ky për Shqipërinë që për herë të parë arrin të ngjitet në shkallën më të lartë të podiumit.

Petrov duke shpjeguar zgjedhjen e tij për të përfaqësuar Shqipërinë, ka zbuluar se gjithçka nisi pas një takimi me trajnerin e tij Alon Hasa në Pragë.

“Kur nuk u kualifikova për Lojërat Olimpike 2016, unë e përfundova karrierën time si gjimnast dhe u transferova në Pragë për të punuar si trajner. Unë nuk kam menduar për të ndjekur një karrierë si gjimnast. Por ndërsa punoja si trajner, gjeta pak kohë të lirë, kështu që fillova përsëri stërvitjen dhe kuptova se isha akoma në gjendje të mirë. Dhe unë isha me fat sepse drejtori i palestrës ku unë punoja ishte shqiptar. Kështu filloi historia ime me Shqipërinë. Federata shqiptare e Gjimnastikës mori miratimin e Federatës Ruse që të garoja për Shqipërinë, askush nuk ishte kundër kësaj”.– ka treguar më parë Matvei Petrov. Madje tani e quan veten shqiptar.

Në një intervistë për Ora News trajneri i tij Alon Hasa gjithashtu ka folur për këtë histori.

“Historia është shumë e bukur sepse Matvei është gjimnast prej 26 vitesh. Ka qenë nënkampion Europe për të rinjtë për Rusinë dhe para katër vitesh kur nisi punën te palestra jonë, në Pragë, unë munda Matvein të besonte idenë time e të fillonte sërish stërvitjen dhe të bënte gara për Shqipërinë sepse në një kohë mund të shkonte në Lojërat Olimpike për Shqipërinë. Gjithashtu në këto kohë mund të fitojë medalje si kampion Europe, kampion bote. Matvei para tre muajsh fitoi medaljen e bronxtë në Botërorin e Hungarisë dhe pas dy muajsh fitoi medaljen e artë në Europian”, tha tekniku shqiptar.

Sipas Euronews, Petrov është i pajisur me nënshtetësi shqiptare disa vite më parë, më saktë në vitin 2018. Petrov dhe Hasa tanimë synojnë të fitojnë medaljen olimpike.

“Unë jam shqiptar. Not yet (ende jo). Unë jam 30 vjeç dhe vendosëm që edhe tre vjet të tjera, deri në Lojërat Olimpike të Parisit, do të tentoj të fitoj Lojërat Olimpike. Ky është qëllimi im.”-shprehet ai.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *