Vendosni fjalën kyçe....

“U ushtrua dhunë ndaj të miturve në protestë” – PD padit në SPAK Ardi Veliun


Partia Demokratike ka paditur në SPAK kreun e Policisë së Shtetit, Ardi Veliun. Sipas njoftimit të PD-së, Veliu është akuzuar për pesë vepra penale të krhyera gjatë pesë ditëve të fundit të protestave, ku njerëzit u ngritën pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv policie.

“Kërkesa e Partisë Demokratike i është drejtuar Prokurorisë së Posaçme, SPAK, që duhet të kërkojë pezullimin e Ardi Veliut nga detyra deri në përfundimin e hetimeve.”– thotë PD.

Akuzat ndaj Veliut:

  1. Shpërdorim i detyrës
  2. Kryerja e veprimeve arbitrare
  3. Pengimi në të drejtën për t’u shprehur, grumbullusr dhe manifestuar
  4. Dëmtime të tjera me dashje
  5. Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme.

Në padinë penale ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, PD vë në dukje se “në protestat paqësore për të kundërshtuar frymën e represionit policor dhe të abuzivizmit qeverisës, është vënë re përdorim i tepruar i dhunës policore, përdorimi në mënyrë të çmendur i gazit lotsjellës. Ai është hedhur në sasi shumë të mëdha në Bulevard dhe në zonat rezidenciale me densitet të lartë qytetarësh, që nuk ishin pjesë e protestës”.

Në padi theksohet se me urdhër të Ardi Veliut, policia “ka ushtruar dhunë barbare ndaj të miturve” si dhe ka ndaluar në mënyrë abuzive çdo njeri që lëvizte në rrugë, pa qenë pjesë e protestës.

“Me anë të këtij kallëzimi, marrim përsipër të bëhemi përçues të zërit të atyre qytetarëve të ndershëm të këtij vendi, të cilët besojnë se ligji është një dhe i barabartë për të gjithë dhe që ende kanë shpresën se vetëm zbatimi i Ligjit do ta çojë drejt përsosjes shoqërinë tonë.”– i drejtohet Partia Demokratike SPAK-ut, duke i kërkuar marrjen nën hetim të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu dhe pezullimit të tij nga detyra.