Vendosni fjalën kyçe....

Manastirliu: Numri i lartë i tamponëve nuk ka shpëtuar asnjë vend nga vala e dytë


Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu u është përgjigjur akuzave të opozitës lidhur me numrin e testimeve si dhe me vonesën e përgjigjes së tamponëve.

Gjatë deklaratës së sotme për mediat, Manastirliu tha se testimet bëhen të shënjestruara ndërsa theksoi se numri i testimeve nuk kishte shpëtuar asnjë vend nga vala e dytë e pandemisë.

“Ka pasur akuza të shumta për numrin e testimeve. Një nga arsyet që Shqipëria ka një pozitivitet të lartë është për shkak të strategjisë të testimit. Ne bëjmë një testim të shënjestruar për ata persona që shfaqin simptoma si dhe kontaktet e tyre. Testimi është një proces që të konfirmon ty nëse je pozitiv ose jo, por duhet izolimi i menjëhershëm. Pavarësisht se çfarë po shohim sot, testimet që kanë bërë vendet e tjera nuk kemi parë një shembull ku testimet kanë shpëtuar vendin nga vala e dytë. Franca që ka bërë një numër të lartë testimesh, ka hyrë në një izolim të dytë. 95 % e të shtruarve në spitale janë me COVID, pra testimet nuk shpëtojnë njerëzit nga COVID. Testimi pa rrespektimin e masave parandaluese dhe distancimit social nuk bën dot diferencë në këtë luftë.” – deklaroi Manastirliu.

Ndërsa lidhur me vonesat në përgjigjet e testimeve, ajo theksoi se kanë prioritizuar saktësinë e rezultatit në vend të shpejtësisë së tij.

Megjithatë Manastirliu thotë se po punohet në mënyrë që ato të vijnë brenda 72 orëve.

“Ne e dimë se çfarë ndodh jashtë Ministrisë së Shëndetësisë. Kur komiteti i ekspertëve vlerëson në mënyrë dinamike situatën sigurisht që ne jemi të vetëdijshëm. Ka probleme në menaxhim sepse kjo pandemi është. Asnjë sistem në botë nuk është perfekt. Ne duhet të kemi gjë parasysh, duhet të ketë një balancë mes shpejtësisë së marrjes së testit dhe saktësisë së rezultatit. Si mund të vendosim në lojë saktësinë e rezultateve? Kemi vendosur të prioritizojmë saktësinë sikur ne të kishim ecur me volume pa e prioritizuar. Gjatë kohës të pritjes së testit, qytetarët duhet të presin të izoluar. Volumi i madh i testimeve ka bërë që të ketë vonesa. Në faqen e ministrisë në Britani thuhet se rezultati i testit merret brenda 6 ditëve dhe vetëm më pas qytetarët duhet të marrin në telefon për t’u ankuar. Ne po punojmë që brenda 72 orëve të marrim përgjigjen e testeve” -tha Manastirliu.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *