Vendosni fjalën kyçe....

Patriotizmi folklorik, marrëveshjet Kosovë-Shqipëri s’po implementohen


Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, thotë se marrëveshjet ekonomike mes Kosovës dhe Shqipërisë kanë një karakteristikë – janë të paimplementueshme.

Ai tha se duhet të lehtësohet burokracia dhe korrupsioni që bizneset e të dyjave vendeve të marrin frymë. Gjithashtu, Gërxhaliu thotë se që dy shtetet duhet të bashkohen edhe ekonomikisht sepse vëllazërisht veçse janë.

“Bashkëpunimi i Kosovës dhe Shqipërisë nuk karakterizohet si mungesë e marrëveshjeve, qoftë ekonomike apo politike, por karakterizohet me mosimplementim të marrëveshjeve. Jemi dy shtete të ndara dhe neve na duhet eliminimi i barrierave, na duhet një avancim i bashkëpunimit dhe duhet të tregohet një sinqeritet i bashkëpunimit”.

Gërxhaliu thotë se pas nënshkrimeve të marrëveshjeve që krijojnë shou medial vazhdohet me avazin e vjetër dhe se këtë e di më së miri komuniteti i bizneseve që preket më së shumti.

“Të gjithë duhet ta kuptojnë  se nuk jetohet nga patriotizmi folklorik, partneriteti ekonomik kërkon përkushtim, kërkon gatishmëri për sundim të ligjit, kërkon gatishmëri për të demontuar monopolet dhe ekonominë informale. Ky është takimi i shtatë mes dy qeverive dhe po të njëjtat marrëveshje dhe pothuajse vetëm po ridraftohet dhe po ndërrohet logoja”, tha Gërxhaliu.

Gërxhaliu në Klan Kosova tha se sot më shumë ishte vazhdimësi e promovimit të marrëveshjes së 4 shtatorit në Washington, si dhe një mundësi e mirë e kryeministrit Rama për të shprehur mllefin me ish-kryeministrat e kaluar të Kosovës.

“Përmbajtja e marrëveshjeve  është e vjetër, më e dobishme do të ishte që të sot të zhvillohej një debat për sfida dhe probleme të komunitetit të bizneseve. Bashkëpunimi ekonomik është kyç, as vendet e BE-së nuk e duan njëri-tjetrin, por  i bashkon interesi i përbashkët. Duhet  të bëhet më tepër sesa të flitet”.

Profesori i ekonomisë thotë se ka burokraci të tepërt dhe korrupsion derisa një maune me mall nga Kosova kalon në Shqipëri. Ai mendon që këto çështje duhet të rregullohen që qytetarët t’i shohin edhe në praktikë marrëveshjet që nënshkruajnë dy qeveritë.

Gërxhaliu po ashtu kritikoi shtetin shqiptar për qasjen ndaj Kosovës.

“Shqiptarët e Shqipërisë të bashkohen me gjithëkënd tjetër përveç se me kosovarët dhe këta nuk janë aktivë dhe prezentë me mallra. Duhet të preket substanca dhe duhet të kemi kapital dhe ide.  Askush se përmend që vetëm në korrik dhe gusht bizneset kosovare kanë paguar më tepër se  280 mijë euro gjoba në kufi dhe nga kjo goditen vetëm kosovarët.  Duhet të kemi një koncept të llogaridhënies dhe s’duhet të tregohet rivalitet në ekonomi”.

“Në Shqipëri ekzistojnë disa stacione të biznesit, por ai më i fuqishmi që e përfaqëson komunitetin e biznesit atje është Oda Serbo-Shqiptare, ku në anën e Serbisë janë 100 top biznesmenë, po ashtu në anën e Shqipërisë janë 100 top biznesmenë dhe e kanë një komunitet të përbashkët që vlera e tyre kapitale e kalon shifrën 8 miliardë euro. Pse të mos kemi diçka të tillë në raportet Kosovë-Shqipëri?”.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Lajmi.net 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *