Vendosni fjalën kyçe....

Denoncimi i qytetares për telefonatën e Ramës, reagon Basha: Qeveria detyrë të lehtësojë dhimbjen për pasojat nga tërmeti, por zgjedh të kërcënojë zonjën


Kreu i Partisë Demokratike ka reaguar lidhur me denoncimin me zë dhe figurë të një qytetareje e cila në tërmetin e 26 nëntorit humbi bashkëshortin dhe vajzën, për një telefonatë të kryer nga kryeministri Rama.

Qytetarja Manjola Cakoni pretendon se kryeministri Rama e ka marrë në telefon ku i është përgjigjur e ëma dhe i ka thënë “turp të ketë Manjola”.

Telefonata e Ramës erdhi pas daljes së saj në media ku kërkonte ndihmë pasi ishte e braktisur nga autoritetet pas tërmetit të 26 nëntorit.

Ndërkojë në reagimin e tij kryedemokrati Basha thotë se qeveria ka për detyrë të lehtësojë dhimbjen e qytetarve.

Sipas Bashës ajo që u dëgjua nga qeveria është kërcënimi ndaj zonjës së mbytur në dhimbje.

Këtë akt të kryeministrit Basha e quan të ulët që ka shkelur çdo premtim.

Postimi i plotë:

Teatri mizor me jetën dhe hallet e qytetarëve duhet të marrë fund.

Historia e Manjolës dhe Alesios tronditi mbarë opinionin publik. Një tragjedi e madhe, dhimbje e pashërueshme që do të mbetet gjithmonë e pranishme në jetën e tyre.

Detyra e një qeverie normale është të lehtësojë pasojat materiale për Manjolën, Alesion por dhe për mijëra persona të tjerë, që u goditën rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit.

Por kjo që dëgjuam, kërcënimi i një zonje të mbytur nga dhimbja dhe pamundësia për të përmbushur nevojat jetike, është një akt i ulët i një kryeministri që shkel mbi çdo premtim, i dikujt që nuk e ndjen dhimbjen dhe vuajtjen e bashkëqytetarëve. Është akti i një burracaku që i kërcënon t’u mbyllë gojën viktimave të pushtetit të tij të korruptuar.

Është kriminale që fatkeqësia e bashkëqytetarëve tanë, në fillim u përdor për propagandë e më pas u harrua. Është kriminale që një kryeministër të kërcënojë një qytetare, vetëm pse ajo denoncoi shkeljen e premtimit dhe braktisjen e saj.

Fatkeqësisht, Manjola është vetëm një ndër mijëra gra të tjera që sot nuk kanë ushqim të mjaftueshëm për fëmijët e tyre dhe që jetojnë në çadra e kushte tejet të vështira.

Historia e saj është dëshmi ngjethëse e humbjes së çdo ndjeshmërie njerëzore dhe çdo përgjegjësie ndaj njerëzve nga ai që i përdor qytetaret për propagandë e më pas i braktis në mjerimin e tyre.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *