Vendosni fjalën kyçe....

Myslim Murrizi: Manja u nis të shkarkojë Metën, por do shkarkohet vetë


Deputeti Myslim Murrizi ka folur ashpër në foltoren e Kuvendit, lidhur me vendimin e Komisionit Hetimor, se shkeljet e presidentit nuk ishin të mjaftueshme për shkarkimin e tij.

Murrizi tha se kreu i Komisionit, Ulsi Manja, u nis të shkarkonte Presidentin, por në fund të kësaj seance plenare o shkarkohet vetë, o shkarkohen të gjithë anëtarët e këtij komisioni.

Sipas tij, ata nuk e shkarkojnë dot njëri-tjetrin sepse janë ortakë dhe bëjnë pazare 8 muaj para zgjedhjeve. Murrizi thotë se do votojë kundër raportit të Komisionit, pavarësisht se në fillim ai vetë nuk ka qenë një nga firmëtarët për shkarkimin e presidentit.

 “Jeni ortakë, nuk shkarkoni njëri-tjetrin. Ju ngritët komisionin, ai thirri 2 marsin dhe ngriti kundërshtarët tuaj. Ulsiu u nis të shkarkojë Metën, por ka shumë mundësi që pas kësaj seance o shkarkohet Ulsi, o shkarkohen të gjithë anëtarët e atij komisioni. Unë do doja që ata deputetë që firmosën, të votonin për shkarkimin e presidentit Meta. Kolegët u mblodhën dhe firmosën rrufe për ta shkarkuar, por kush i trembi? Ku i keni firmat që do t’i bënit gjamën presidentit? U zeruat sot. Meta nuk kënaqet as me fitoren në letër, as me përqindjen, as me bashki, ai ka instikt tjetër dhe po s’e preku me dorë, nuk e quan.

Jeni shejtanë e shkuar shejtanit në këtë sallë. Unë do të votoj kundër raportit tuaj, edhe pse nuk kam qenë një ndër firmëtarët për shkarkimin e Metës. Ju e dini vetë pazarin 8 muaj para zgjedhjeve, ku kërkoni një ortakëllik pas muaj-maj të 2021. Presidentin Meta e vlerësoj si heroik për qëndrimin e 2008-ës dhe shpresoj shumë ta përshëndesë 30 korrikun e të mos fshihet. Duhet ta përshëndesësh, sepse shqiptarët presin me padurim të cahet muri i kalbur i këtyre 30 viteve”, deklaroi Murrizi.

Kreu i Komisionit Hetimor Ulsi Manja, prezantoi më herët në Kuvend raportin final, duke thënë se njëlloj siç ishte shprehur Komisioni i Venecias, shkeljet e presidentit për ç’dekretimin e datës së zgjedhjeve lokale dhe emërimet në Gjykatën Kushtetuese, nuk kishin qenë të mjaftueshme për shkarkimin e tij.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *