Vendosni fjalën kyçe....

Basha takon Kurtin, Besnik Mustafaj në krah të tij


Gjatë vizitës së tij në Kosovës, kreu i PD-së, është takuar edhe me liderin e Vetëvendosjes e ish-kryeministrin, Albin Kurti.

Basha shkruan se me Kurtin ka diskutuar zhvillimet e rëndësishme ekonomike, politike e rajonale.

Kryedemokrati shkruan në Facebook se gjatë takimit është diskutuar edhe për çështjen e rëndësishme të largimit të të rinjve si dhe mbi strategjitë për t’u mundësuar atyre të punojnë e jetojnë në Shqipëri e Kosovë.

Vlen të theksohet se në këtë takim zyrtar në Kosovë, Basha shoqërohej edhe nga ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, i cili është rikthyer në PD.

Ky i fundit pohoi para pak ditësh se nuk ishte kthyer në PD për poste por për një proces të drejtë.

“Gjatë qëndrimit në Kosovë, ndava disa orë të këndshme me Kryetarin e VV Albin Kurti, ku diskutuam për të gjitha zhvillimet e rëndësishme ekonomike, politike dhe rajonale. U ndalëm gjerësisht në bisedën tonë tek situata ekonomike dhe shëndetësore të shkaktuar nga pandemia e COVID-19. Është shumë e rëndësishme që të koordinojmë përpjekjet dhe të ndërmarrim nisma të përbashkëta, për sa i përket përballjes në aspektin shëndetësor të COVID-19, por edhe për situatën ekonomike, e cila ka sjellë probleme të shumta. Me fokus të veçantë nënvizuam rëndësinë e hapave që duhen ndërmarrë për të ndalur largimin e dhimbshëm të të rinjve, e për t’u krijuar atyre mundësi të punojnë dhe jetojnë në Shqipëri e Kosovë. Ndamë të njëjtin mendim, se nevojitet një intensifikim i bashkëpunimit mes dy vendeve, projekte dhe nisma konkrete, dhe jo ide që mbeten në letër. E sigurova zotin Kurti, se unë dhe Partia Demokratike e Shqipërisë, sot në opozitë dhe nesër në drejtim të vendit, do të jemi në krah të Kosovës, dhe maksimalisht të angazhuar për t’i ofruar çdo ndihmë, dhe për të marrë çdo vendim në mbështetje të saj. Theksova rëndësinë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, domosdoshmërinë e moscënimit të integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe arritjen e një marrëveshjeje që do të çojë në njohjen respektive, mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.” – shkruan Basha.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *