Vendosni fjalën kyçe....

Vdekja e mjekut nga Covid-19, Manastirliu: Dhimbje e madhe për të gjithë


Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, ka reaguar për ndarjen nga jeta të mjekut Hysni Shkjau, i cili ishte i prekur me Covid-19.

Manastriliu shkruan se ky lajm e ka trishtuar, ndërsa u shpreh ngushëllimet familjarëve.

“Më trishtoi pa masë lajmi për ndarjen nga jeta këtë mëngjes e dr. Hysni Shkjaut, mjekut të përkushtuar, që shërbeu pa u lodhur dhe nuk u nda për asnjë ditë nga banorët e komunitetit në zonën e Qafë-Malit në Pukë!

Ndarja nga jeta e dr. Hysniut është një dhimbje e madhe për të gjithë ne, për familjen, për kolegët, për banorët e zonës së Pukës, ku shërbeu për 40 vite me përkushtim e profesionalizëm.

Dr. Hysniu nuk mundi ta fitonte betejën me virusin e rrezikshëm, megjithë përpjekjet e mjekëve, të cilët bënë të pamundurën për ta mbajtur në jetë në spitalin infektiv.

Ngushëllime të sinqerta familjes dhe kolegëve! U prehsh në paqe doktor Hysniu!”– shkruan Manastirliu.

Doktor Hysni Shkjau është mjeku i dytë në vendin tonë, që ka humbur jetën si pasojë e pandemisë së Covid-19. Kujtojmë se javën e kaluar, ndërroi jetë mjeku Arjan Pushi, i pari mes mjekëve e infermierëve në Shqipëri që humbi betejën kundër koronavirusit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *