Vendosni fjalën kyçe....

Shpallet në kërkim në Zimbabve biznesmeni i inceneratorëve, Klodian Mërtiri


Biznesmeni i inceneratorëve Klodian Mërtiri, i cili njihet edhe si Mirel Mërtiri është shpallur në kërkim në Zimbabve për korrupsion.

E kjo për një tender të pajisjeve mjekësore për Covid-19, me vlerë 60 milionë dollarë, ngjarje për të cilën u arrestua dje dhe Ministri i Shëndetësisë i Zimbabve.

Siç shkruajnë mediat afrikane, Mërtiri është paraqitur në Zimbabve me emrin Ilir Dedja, përmes një kompanie “Drax International”.

Kjo kompani rezulton se është regjistruar në Zvicër para dy muajsh, dhe ka si përfaqësues biznesmenin afrikan Delish Nguwaya.

Ata i kanë shitur qeverisë së Zimbabve mjete mjekësore, maska dhe veshje 10 herë më shtrenjtë se tregu.

Agjencia e lajmeve “Zimlive”, ka publikuar një foto të zyrtarëve të lartë të atij vendi, me biznesmenin shqiptar dhe ish-deputetin e Partisë Demokratike, Gerti Bogdani.

Mërtiri (ose Dedja) rezulton me lidhje në të tre inceneratorët, biznese që njihen formalisht me emrin e Klodian Zotos.

Çfarë ka ndodhur?

Në muajin mars, autoritetet në Hungari, ku është regjistruar një degë e Drax International, lajmëroi qeverinë e Zimbabueve pas një pagese prej 2 milionë dollarë në llogarinë e kompanisë. Gjithashtu edhe interpoli nisi hetimet mbi këtë kompani. Pas këtij skandali kompania hapi një degë në Dubai ku kaloi rreth 1 milionë dollarë.

Një nga djemtë e Presidentit Emmerson Mnangagwa u detyrua të nënshkruante një deklaratë ku mohoi lidhjet me kompaninë, pas daljes në publik të fotografive të përfaqësuesve të kompanisë në shoqërinë e presidentit, dhe familjes së tij, në disa evente.

Ministri i Shëndetësisë, Moyo është liruar me urdhër të Presidentit Emerson por akuzohet për shpërdorim detyre dhe korrupsion. Nëse shpallet fajtor, ai mund të dënohet me 15 vjet burg.

Moyo dhe zyrtarë të lartë të qeverisë akuzohen se kanë dhënë miliona dollarë tendera për pajisje mjekësore në kohën e emergjencës së COVID-19, për kompani që nuk kanë qenë pjesë e regjistrit të prokurimit publik.

Kompanitë me të cilat lidhet emri i Klodian Mërtirit:

-Në bazë të të dhënave të Qendrës Kombëtare të Regjistrit në Shqipëri (QKR), Mirel Mërtiri rezulton administrator i kompanisë “C.G.C”. Kjo kompani kontrollohet në 70 përqind nga “Integrated Technology Service” e Klodian Zotos. Kompania “C.G.C”, deri në vitin 2018, ka qenë në pronësi të Stela Gugallja.

-Klodian (alias Mirel) Mërtiri rezulton të jetë bashkëpronar në kompaninë “EM Capital”, të regjistruar në Sofje, Bullgari, së bashku me Klodian Zoto dhe Eva Blushi.

-Mirel Mërtiri është pronar i kompanisë off-shore ‘KL Group”, e regjistruar në Maltë.

-Mirel Mërtiri është administrator i kompanisë “E.R One”, në pronësi të Stela Gugallja dhe kompanisë italiane ‘Energy Recuperator”, në pronësi të Ernesto Granelli.

-Ernesto Granelli rezulton të jetë një nga bashkëpunëtorët e Klodian Zotos në kompaninë “Integrated Technology Service”, e regjistruar në Hollandë dhe që ka në pronësi inceneratorin e Tiranës./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *