Vendosni fjalën kyçe....

Rritet me 21% prodhimi i energjisë në tremujorin e parë


Prodhimi i energjisë elektrike në vend u rrit në tremujorin e parë të vitit, në vijimësi të luhatjeve të zakonshme vjetore, të lidhura me prurjet hidrike. Sipas të dhënave nga Instat, për tremujorin e parë të vitit, prodhimi arriti në 1546 GWh, në rritje me afro 21% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në tremujorin e parë, impiantet private dhe koncesionare prodhuan një sasi më të madhe energjie krahasuar me ato publike. Ky është tremujori i dytë që HEC-et private prodhojnë më shumë se ato publike, ndërsa për herë të parë kjo kishte ndodhur në tremujorin e dytë 2019. Sipas Instat, prodhuesit privatë kontribuan me 52% të energjisë totale të gjeneruar në vend. 0.4% e prodhimit total erdhi nga energjia diellore, ku investimet kanë filluar të japin rezultatet e para në prodhim, pas dekadash varësie të plotë nga burimet hidrike.

Nga ana tjetër, koncesionet gradualisht po fitojnë një peshë në rritje në prodhimin e energjisë elektrike, sidomos pas përfundimit të veprave të rëndësishme, si HEC-i Banjës në Kaskdën e Devollit.

Instat bën të ditur se për tremujorin e parë u eksportuan mbi 346 GWh energji, katër herë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sidoqoftë, bilanci i tregtimit të energjisë me jashtë edhe në tremujor ngeli deficitar dhe importet ishin gati tre herë më të larta se eksportet.

Një zhvillim shqetësues është kthimi i rritjes së humbjeve në rrjet. Sipas Instat, humbjet totale arritën në 27%, nga rreth 25% që kishin qenë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas Instat, ndikimin kryesor e dha rritja e humbjeve teknike në rrjetin e shpërndarjes. Megjithatë, ndarja e humbjeve në teknike dhe joteknike mbështetet vetëm në raportimet e operatorit dhe shifrat nuk janë të audituara nga ndonjë autoriteti i pavarur. Rrjedhimisht, këto shifra duhen marrë me rezervat e rastit. Sipas raportimeve të OSHEE, niveli i humbjeve jo teknike, që konsistojnë kryesisht në energji të vjedhur, është rreth 5.5%./Scan-tv

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *