Vendosni fjalën kyçe....

FOTO+VIDEO/ Gjithçka ndodhi në protestën pas shembjes së Teatrit Kombëtar


Si vazhdim i ngjarjes ndoshta më të rëndësishme të këtij viti, të ditës së djeshme ku u prish godina e Teatrit Kombëtar, ditën e sotme u zhvillua sërish protestë përballë Ministrisë së Brendshme.

Tubimi i thirrur nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit e filluar që prej orës 16:30, u mbështet edhe nga opozita e bashkuar.

Në podiumin e protestës folën vetëm personazhe të cilët për më shumë se dy vjet i qëndruan në mbrojtje të Teatrit Kombëtar. Nga ana tjetër, personazhet e politikës qëndruan larg mikrofonit.

Fjalimet ishin për thirrje në mbrojtjen e demokracisë dhe mos dorëzimit përballë pushtetit.

Ndërsa në radhët e qytetarëve, dëgjoheshin brohoritjet, “Poshtë diktatura”,Rama Ik” apo edhe “Ta bëjmë Shqipërinë si Europa”.

Në protestë, kryetarja e LSI-së kishte zgjedhur të shkonte me një bluzë me portretet e aktorëve të cilët kanë luajtur role në Teatrin Kombëtar, një simbolikë kjo për të përfaqësuar mbrojtjen e godinës.

Zhvillimi për rreth dy orë i saj, i karakterizua nga fragmente të qeta dhe pa tensione apo përplasje me policinë.

I vetmi incident i ndodhur ishte hedhja e një kapsolle brenda turmës, nga një person i cili më pas u ndalua edhe nga policia. Nga shpërthimi i kapsollës u lënduan edhe dy shtetase të cilat ndodheshin atje.

Në fund protesta u mbyll në paqe me një thirrje për tubim sërish në datën 20 maj këtë herë prej orës 17:30./Hashtag.al