Vendosni fjalën kyçe....

Koncesioni 128 milionë euro/ Zbulohen kompanitë në Holandë me drejtorë rusë


CNA.al prej disa ditësh paralajmëroi publikimin e skandalit 128 milion euro me inceneratorin e Tiranës, pas publikimit të aferave me inceneratorin e Elbasanit, 22 milion euro, dhe 28 milion eurot e inceneratorit të Fierit.

Dje, CNA.al tregoi me dokumenta dhe fakte konkrete se pas kompanisë Integreted Energy BV SPV, regjistruar në Tiranë në 31 gusht të vitit 2017, në ditën e firmosjes së kontratës me qeverinë shqiptare dhe me ministrin e Mjedisit në atë kohë, Lefter Koka, ishte një kompani që aksioner të vetëm kishte Integreted Energy BV, e cila ishte një kompani hollandeze dhe në kundërshtim me atë që u reklamua, pra me çfarë është thënë nga qeveritarët dhe kryebashkiaku i Tiranës se ishte një kompani hollandeze, në fakt pas saj qëndronte Klodian Zoto, i inceneratorit të Fierit dhe Elbasanit, së bashku me Ernesto Granellin.

Ky i fundit një shtetas italian, i cili ishte i përfshirë në ndërtimin e inceneratorëve të Fierit dhe Elbasanit dhe gjithashtu një emër tjetër, i cili është Giuseppe Ciafaglione, i cili është administrator i kompanisë në Tiranë, dhe në përfaqësimin hollandez, i Klodian Zotos.(Lexo këtu)

Por, CNA.al do të sjellë sot të tjera dokumente ekskluzive. Ne dje thamë qartë se kompania Integreted Energy ishte një kompani, ku pas saj fshihej Klodian Zoto dhe ajo ishte regjistruar në adresën Delflandlaan 1 Queens Tower në Amsterdam si pjesë e një grupi kompanish ku humbeshin gjurmët.

Por, këto ishin dhjetëra kompani me të njëjtën adresë dhe ishin pjesë e kompanisë mëmë, Residence Corporate Services BV, ku brenda saj përfshihej edhe kompania Almares Menagment, e cila ishte bashkëdrejtore e kompanisë Intgreted Energy BV.

Por çfarë ka ndodhur?

Ne do të sjellim me dokumenta si ka firmosur Klodian Zoto me përfaqësuesit e Almares, të cilat tregojnë se ai është bashkëaksioner. 

Më poshtë ne do të sjellim disa vendime të datave të ndryshme, të cilat janë të vitit 2018, 2019 dhe 2020.

Në janar të vitit 2018, për bordin e Integreted Energy firmos Klodian Zoto, kurse për drejtorin e dytë firmos Hans Wenner, dhe vula e kompanisë Integreted Energy BV në Hollandë, e cila mban numrin 666 71 752. Ky është një dokument, i cili quhet vendimi i bordit të drejtorëve, të cilët kanë firmosur me atë që quhet Shehholderi, pra mbajtësi i aksioneve i vetëm i kompanisë hollandeze, Integreted Energy BV, dhe firmosin dy persona, Klodian Zoto dhe Hans Werner, sipas këtij dokumenti në gjuhën Angleze.

Më pas shfaqet edhe një tjetër dokument, i cili mban datën 15 mars 2019. Në këtë dokument nuk firmos më Klodian Zoto, por siç e treguam ne dje, Zoto ishte tërhequr dhe drejtues ishte emëruar Giuseppe Ciaffaglione, i cili është edhe bashkëadministrator i kompanisë së regjistruar në Shqipëri. Në këtë dokument firmosin dy shtetas, Marc Lappat si drejtor B dhe Giuseppe Ciaffaglione si drejtor A.

Ky dokument është bërë edhe për të emëruar bashkëadministratoren e kompanisë Ajola Kodra, e cila do të jetë bashkëdrejtuese me Giuseppe Ciaffaglione në kompaninë Integreted Energy BV SPV në Tiranë. Edhe këtu shohim se ky dokument është me vulën e kompanisë Integreted Energy BV, dhe Marc Lappat, firmos si përfaqësues i kompanisë Almares Menagment BV.

Vazhdojmë më tej, ku kemi një dokument tjetër të datës 18 korrik i vitit 2019, i Asamblesë së Ortakëve të kompanisë Integreted Energy BV SPV ku firmosen pasqyrat financiare të shoqërisë dhe ortakët e vetëm që firmosin janë Integreted Energy BV, Giuseppe Ciaffaglione dhe Almares Menagment BV si drejtor B, por emri i personit nuk shkruhet. Por kujtojmë këtu se një nga menaxherët e kompanisë Almares Menagment BV është Thomas Walter Hansmann.

Në dokumentin e tretë që ne po sjellim është një vendim i Asamblesë së Ortakëve të janarit 2020, ku është shtuar diçka në aktivitetin e kompanisë, por për kompaninë Integreted Energy BV firmos drejtuesi A, Thomas Hansman, i cili është pjesë e kompanisë Almares, të cilin mund ta shikoni tek struktura e plotë e kompanisë Residence Corporate Services dhe tek Almares Menagment BV, emra që shfaqen shpesh dhe një firmë tjetër e cila nuk duket të jetë as e Ciaffaglione dhe as ndonjë emri tjetër, dhe po të shikosh me kujdes, në të gjitha dokumentet, firmat shumë rrallë mund të jenë të njëjta ose të përshtaten, gjë që ngre dyshime të forta se këto mund të jenë thjeshtë formalitete të kryera në zyrat e Shqipërisë.

Pa folur këtu se me një investigim të thjeshtë nga prokuroria mund të verifikohet në sistemin Tims a kanë hyrë dhe a kanë dalë këta shtetas të huaj që kanë firmosur në Shqipëri në emër të këtyre kompanive, pasi vula e kompanisë hollandeze mungon dhe është vetëm vula e shoqërisë Integreted Energy BV SPV, e cila ka të njëjtën adresë me kompaninë Almares Menagment BV, e cila është edhe bija e kompanisë Residence Corporate Services.

Këto janë katër dokumentet që tregojnë marrëdhënien e Almares, firmën e Klodian Zotos dhe Integreted Energy BV.

Por, çfarë ka ndodhur më pas?

Ne me këto dokumenta treguam se lidhja është e qartë. Në një zyrë në Hollandë, Klodian Zoto ka shkuar dhe që atje nuk ka ardhur më si shqiptar, por ka ardhur me një kompani hollandeze për të firmosur një kontratë 128 milion euro.

Në vitin 2016 themeloi kompaninë Integreted Energy BV dhe më pas mori koncesionin 128 milion euro.

Por, pse i sollëm të gjithë këto dokumente të firmosjes së Almares dhe kompaninë Integreted Energy BV?

I sollëm këto dokumente për të treguar se pas shërbimeve që ka marrë Klodian Zoto dhe kompanive që lidhen me të fshihen edhe shtetas rusë.

Ndoshta duket e pabesueshme, ndoshta dikush do të tentojë ta hedhë poshtë. Por, faktet janë fakte.

Sipas dokumentit të poshtëshënuar, që janë ekstrakte të nxjerra zyrtarisht nga institucionet hollandeze, Almares Menagment BV, kompania bashkëdrejtore me Integreted Energy BV, ka dy drejtorë, njëri prej të cilëve është Marc Lappat, të cilin ne e treguam në dokumentat e mësipërm si bashkëfirmëtarë. Pra si si drejtor i dytë në administrimin e kompanisë shqiptare, e cila ka fituar koncesionin 128 milion euro.

Por, Almares Menagment BV, nuk ka vetëm këtë drejtor. Është një tjetër bashkëdrejtuese e kësaj kompanie, e cila është Alisa Jangildina, e ditëlindjes 1973, dhe lindur në Bashkimin e Republikave Sovjetike, sipas dokumentave që ne po iu tregojmë më poshtë.

Por, nuk është vetëm dokumenti i Almares që tregojnë se kemi të bëjmë me një shtetase ruse, në menaxhimin e këtyre kompanive. Ne gjithashtu kemi siguruar një tjetër dokument, i cili tregon se edhe te kompania Residence Corporate Services, personat që e drejtojnë janë të njëjtët me Almares.

Pra, ne kemi zbuluar skemën në tre kompani, Integreted Energy BV, Almares Menagment BV dhe Residence Corporate Services e cila është mëma e kompanisë Almares, ku rezulton sërish Alisa Jangildina. e cila është shtetase ruse, e ditëlindjes 1973 dhe është bashkëdrejtore me Marc Lappat, i cili ka firmosur për kompaninë Almares në lidhje me Shqipërinë dhe kompaninë që do të ndërtojë inceneratorin e Tiranës.

Pra, Alamres Menagment BV nuk është thjeshtë një kompani hollandeze, me një shtetas hollandez, apo koorporatë e huaj, por një bashkëdrejtore është edhe një një shtetase ruse, e cila bashkëdrejton këtë kompani me drejtorin e dytë apo bashkëortak të Almares, dhe zinxhirin e kompanive të tjera që përdoren në Hollandë, për të fshehur ortakët e vërtetë dhe gjurmët e Klodian Zotos dhe ortakëve të tij.

Por, mesa duket kjo ka qënë e pamundur. Dokumentet zyrtare, të botuara në fletoren zyrtare dhe në Dhomën e Tregtisë nxjerrin zbuluar gjithçka që nga themelimi i kompanisë nga Klodian Zoto deri tek rusja, bashkëdrejtore e kompanive të cilat janë bashkëmenaxhuese të koncesionit 128 milion euro për landfillin dhe inceneratorin e Sharrës në Tiranë.

CNA.al këtu po mbyll pjesën e dytë të investigimit, ku kemi sjellë të gjithë dokumentat që ne kemi pasur në dispozicion. Gjithashtu dje kemi publikuar një numër të madh dokumentash dhe nesër do të sjellim gjithashtu disa materiale të tjera shtesë, të cilat kanë të bëjnë me një zinxhir tjetër kompanish.

Me pot ë njëjtat emra, ku përfshihen Klodian Zoto, ortakët e tij në Tiranë, koncesioni 128 milion euro, por edhe biznesmenë të tjerë, politikanë dhe ish-politikanë të cilët kanë aksionet e tyre ose familjarë në lidhje me Klodian Zoton dhe skandalin 128 milion euro.

Gjithashtu do të publikojmë edhe të dhëna të tjera ekskluzive si ekstraktet historike dhe ndryshimet që kanë pësuar kompanitë rrugës për të bërë të mundur zhdukjen e gjurmëve.

Por, ashtu siç e raportuam edhe dje “djalli fshihet në detaje”, kanë mundur të fshehin diçka, por nuk kanë mundur të zhdukin gjithçka. Vijon…/

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e CNA.al

*Pjesën e parë të hulumtimit mund ta lexoni Këtu


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *