Vendosni fjalën kyçe....

Orges Bilbili jetonte prej muajsh në Tiranë, çfarë zbuluan hetimet


Të tjera detaje zbulohen mbi Orges Bilbilin, të riun i cili u arrestua dje pasi u plagos në këmbë nga një efektiv i focave “Shqiponja”.

Balkanweb shkruan se Bilbili ndodhet nën kujdesin mjekësor dhe nuk ka folur ende para uniformave blu.

 Sipas hetimeve të deritanishme të policisë, 30-vjeçari nga Lushnja i cili është i akuzuar për vrasje jetonte në një apartament në rrugën “Sitki Çiço” me qira prej disa muajsh.

Apartamentin ai e ndante me një djalë tjetër, i cili nuk është identifikuar ende nga policia. Ditën e djeshme, kur ndodhi ngjarja ata kanë qenë në rrugë të dy, por personi tjetër u largua në drejtim të paditur.

Një polic e ndaloi Bilbilin duke i kërkuar t’i jepte lejen për dalje, si pjesë e kontrolleve për zbatimin e masave të vendosura në këtë kohë pandemie.

Ngjarja u shënua në orën 11:35 ku efektivi i “Shqiponjave” iu afrua Orges Bilbilit i cili ishte duke lëvizur më këmbë në brendësi të lagjes në rrugën “Sitki Çiço”, ndërsa kolegu i tij ishte duke kontrolluar lulishten para Maternitetit të Ri.

Dëshmia e punonjësit të policisë është përputhur me pamjet e kamerave të sigurisë në zonë të cilat u sekuestruan.

Punonjësi i Shqiponjave e pa Orges Bilbilin së bashku me një person tjetër dhe u afrua për të komunikuar me ta, për të mësuar arsyen e daljes dhe për t’i identifikuar por Bilbili e kundërshtoi dhe iku me vrap.

Polici fillon ta ndjekë dhe në momentin kur ishin para shkollës “Niket Dardani” Orges Bilbili në ecje e sipër nxori pistoletën nga çanta, por pistoleta iu rrëzua në tokë. Në këto momente punonjësi i policisë qëlloi në ajër për ta paralajmëruar.

Bilbili mori pistoletën nga toka dhe ia drejtoi policit, por ky i fundit hapi zjarr në drejtim të Bilbilit dhe e plagosi.

Nga 3 të shtënat në drejtim të Bilbilit një prej plumbave ka kapur edhe 30-vjeçaren me iniciale M. P. e cila po kalonte rastësisht aty.

30-vjeçari nga Lushnja, kishte arritur t’u shpëtojë 14 operacioneve policore që janë ndërmarrë për arrestimin e tij.

Ai ishte në listën e personave të kërkuar nga Policia shqiptare, i dënuar në mungesë me 7.4 vjet heqje lirie për trafikim lëndësh narkotike. Ai akuzohet si bashkëpunëtor i pilotit italian Giorgio Riformato për drogën e Divjakës.

Bilbili akuzohet dhe për vrasjen në vitin 2017 të shtetasve Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi, të cilët njihen si miqtë e ngushtë të Xhulio Shkurtit, djali i vëllait të Aldo Bares (Alfred Shkurtit).


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *