Vendosni fjalën kyçe....

Trump urdhëron dërgimin e ndihmave në Itali: Është aleati ynë më i vjetër


Presidenti amerikan Donald Trump, ka urdhëruar të premten zyrtarët e lartë të administratës së tij, që të ndihmojnë Italinë në luftimin e koronavirusit duke u siguruar pajisje mjekësore, ndihmë humanitare dhe ndihma të tjera.

Në një memorandum për disa ministra të Kabinetit, Trump urdhëroi një sërë masash për të ndihmuar Italinë, përfshirë vënien në dispozicion të personelit ushtarak amerikan në vend për shërbime telemjekësore, duke ndihmuar ngritjen e spitaleve në terren dhe transportimin e furnizimeve.

“Republika italiane, një nga aleatët tanë më të afërt dhe më të vjetër, po shkatërrohet nga pandemia e Covid-19, e cila tashmë ka marrë më shumë se 18,000 jetë, solli sistemin italian të kujdesit shëndetësor në prag të kolapsit dhe kërcënon të shtyjë ekonominë e Italisë në një recesion të thellë”– thotë Trump në memorandum.

Italia ka regjistruar numrin më të madh të vdekjeve nga Covid-19, duke u ndjekur nga Shtetet e Bashkuara.

Trump urdhëroi sekretarin e tij të tregtisë që të inkurajojë furnitorët amerikanë që të shesin produktet e kërkuara nga autoritetet italiane dhe ofruesit e kujdesit shëndetësor, përveç atyre që u duhen vetë Shteteve të Bashkuara në përgjigjen ndaj pandemisë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *