Vendosni fjalën kyçe....

31-vjeçari i izoluar tek infektivi për koronavirus: S’më ka thënë askush që jam pozitiv, kam frikë për familjarët


31-vjeçari i cili ka ardhur nga Milano dhe që sipas Ministrisë së Shëndetësisë është i infekuar me koronavirus, ka folur lidhur me situatën e tij në spitalin e infektivit.

Në një lidhje telefonike me televizionin Ora News, i riu shprehet i shqetësuar për situatën. Ai thotë se është në panik, ka frikë për familjarët e tij pasi atyre nuk i janë bërë analizat për koronavirus.

Po ashtu ai thotë se asnjë mjek nuk i ka konfirmuar se ai është me koronavirus, ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë dhe zv.kryeministri Erion Braçe thonë se ai ka koronavirus.

“Dua të sqaroj diçka; Ministria e Shëndetësisë ka dalë dhe ka thënë që unë jam i prekur me koronavirus, por asnjë person nuk ka ardhur të më thotë që je me koronavirus.

Kam mbi 36 orë që jam këtu i izoluar, ka ardhur doktori më ka marrë analizat dje dhe asnjë doktor tjetër. Vetëm infermierët, dhe ato janë të çuditur thonë: si ka mundësi që je i infektuar. Jam merak për familjarët e mi sepse kam pasur shumë kontakte. Ato më thonë të marrin urgjencën, tani nuk e kuptoj këtë propagadën tonë me çfarë lloj të drejte e përdorin publikisht rastin tim ndërkohë që tek unë nuk vjen asnjë ta sqaroj.

Unë nuk kam akoma konfirmimin zyrtar si pacient për analizat e mija. Të vijnë të më thonë që këto janë analizat e tuaja, do ndjekim këtë kurë atë kurë nuk kam asnjë lloj konfirmimi.” – tregon ai.

I riu tregoi historinë e tij të udhëtimit nga Italia në Shqipëri dhe dyshimet për infektimin me koronavirus. 31-vjeçari u shpreh se ishte kthyer nga Milano të martën e kaluar, ndërkohë që të premten kishte shfaqur shenjat e koronavirusit. Ai tregoi se kishte telefonuar urgjencën dhe askush nuk e kishte marrë për të kryer analizat.

“Ditën e martë jam kthyer nga Milano, nuk kam qëndruar në Milano kam qëndruar në shtet tjetër. Aty kam zbritur në aeroport dhe kam qëndruar një natë. Kam ikur të hënën në mëngjes dhe jam kthyer të martën në darkë. Kur erdha nuk kam pasur probleme, të premten pata simptoma dhe kam marrë urgjencën në telefon. E telefonova të premten kur ishte rasti i kësaj vajzës nga Lushnja që kishte ardhur nga Italia sepse kisha dyshime se kisha ardhur në një avion me të. Kam marrë urgjencën dhe 112 për të kërkuar të më bëhej tamponi. Nuk ma bënë sepse nuk kisha shenja.  

Ditën e diel dhe të shtunë mu rrit temperatura me 38-39 gradë. Po ditën e dielë e mora 127 në telefon po nuk më merrnin. Shkoj te spitali “Amerikan” dhe më nisi këtu te infektivi tha nuk je për ne je për tek infektivi. Që prej atij momenti më kanë shtruar me një pavion me këto që janë të konfirmuar. Dhe as analiza as një gjë, analizat mi kanë marrë pas 14 orësh. Dhe nga dje që kam bërë analizat deri sot nuk ka ardhur asnjë doktor dhe asnjë lloj përgjigje.”– vijon i riu.

Ai tregon se ka pasur kontakte me të paktën 10 persona të afërt, për të cilët ka frikë se mos janë infektuar.

“Kam pasur kontakte me disa persona, me familjarët, me kolegët kam pasur me disa persona prandaj jam i shqetësuar. Janë një numër mbi 10 veta që kanë pasur kontakt me mua. Kur vjen këtu për të bërë tamponin, që kur u dhashë historinë nuk ka ardhur njeri të më pyesi. Neglizhencë totale, nëse unë jam pozitiv, këtu nuk vjen njeri ta konfirmoj. Këto nuk e marrin përsipër thonë nuk kemi të dhëna. Unë prandaj erdha këtu për ta parandaluar.”-tregon i riu. 31-vjeçari përsëriti disa herë që ai kishte frikë për familjarët dhe kërkonte që atyre t’u bëheshin testet, nëse është e vërtetë që ai ka koronavirus.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *