Vendosni fjalën kyçe....

Presidenti Trump ngarkon Mike Pence me detyrën për t’u marrë me frenimin e koronavirusit


Presidenti amerikan Donald Trump të mërkurën i ngarkoi përgjegjësinë zv.residentit Mike Pence për t’u marrë me situatën me koronavirusin.

Në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se rreziku në SHBA mbetet i ulët.

“Për shkak të gjithçkaje që kemi bërë, rreziku për popullin amerikan mbetet shumë i ulët”- tha Trump, citon CNN.

Ai tha se do të shpenzojë sa të jetë e nevojshme për të përballuar situatën.

“Ne do të shpenzojmë gjithçka që është e përshtatshme. Shpresojmë që nuk do të duhet të harxhojmë aq shumë sepse vërtet mendojmë se kemi bërë një punë të shkëlqyeshme për ta mbajtur atë në një minimum”- tha Trump.

I pyetur në lidhje me mbylljen e kufijve ai tha: “Në kohën e duhur mund ta bëjmë këtë, tani për tani nuk është koha e duhur. Por në kohën e duhur, dhe ne po kontrollojmë njerëzit kur ata vijnë, posaçërisht për problemin, problemin me të cilin po merremi. Pra, ne jemi duke kontrolluar shumë njerëz që vijnë nga Koreja e Jugut, kjo është vend i goditur mjaft fort, Italia është goditur mjaft fort. Kina, është e qartë se çfarë po ndodh në Kinë, por përsëri numrat duket se po zbehen dhe do të zvogëlohen në Kinë që është një lajm shumë i mirë”.

Presidenti u pyet gjithashtu nëse është i përgatitur të karantinojë qytete të tëra, siç ka ndodhur tashmë në Itali dhe Kinë, shkruan Daily Mail.

Ai u përgjigj: “Ne kemi plane në një shkallë shumë më të madhe, nëse do të na duhet kjo. Ne nuk mendojmë se do të kemi nevojë për këtë, por gjithmonë duhet të jesh i përgatitur”.

Ditën e djeshme në SHBA, u regjistrua rasti i parë i koronavirusit ku origjina e sëmundjes nuk dihet.

Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve konfirmoi se personi, banor në Kaliforninë Veriore, nuk ishte kthyer kohët e fundit nga një vend i huaj dhe as nuk kishte qenë në kontakt me një rast tjetër të konfirmuar.

Ky lajm sugjeron se frika se sëmundja po përhapet në SHBA, tani mund të jetë një realitet.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *