Një video e publikuar në rrjet, tregon këngëtaren Katy Perry duke u rrëzuar pas një rrjedhje gazi në godinën ku po zhvilloheshin audicionet e “American Idol”.
Në klipin e shkurtër, gjyqtarët e programit diskutojnë me njëri-tjetrin për një aromë të çuditshme që dukej si rrjedhje gazi.
“A ndjeni erë gazi djema”- pyet Katy Perry.
“Propan” – përgjigjet Luke Bryan.
“Është goxha intensive” – vijon Perry ndërkohë që paralajmërojnë producentët për erën që po nuhatnin.
“Oh, është e keqe. Është vërtet e keqe!”– vazhdon këngëtarja Perry e cila ngrihet për të dalë jashtë.
Sekonda më vonë, nis kaosi pasi nis evakuimi i godinës që ishte mbushur plot me artistë të rinj që prisnin të interpretonin.
Zjarrfikësit shkojnë në vendngjarje dhe këngëtarja Katy Perry dëgjohet duke thënë se nuk po ndihet mirë e më pas rrëzohet përtokë. Klipi mbyllet këtu duke mos e bërë të qartë nëse artistja u rrëzua me shaka, apo i ka rënë me të vërtetë të fikët.