Vendosni fjalën kyçe....

Trudeau bën pjesërisht përgjegjës Trump-in për rrëzimin e avionit në Iran: Po të mos ishte vrarë Soleimani, kanadezët do ishin gjallë


Nëse nuk do të kishte qenë për përshkallëzimin e SHBA-së në Lindjen e Mesme, kanadezët që ishin në bordin e avionit ukrainas që u godit gabimisht nga Irani, do të ishin në shtëpi tani, tha kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau.

Intervista e Trudeau me ‘Global Neës’ ishte hera e parë që ai foli për rrëzimin e avioni më 8 janar, që rezultoi në tragjedi me 176 viktima, përfshirë 63 qytetarë kanadezë.

Kur u pyetën nëse ata që vdiqën në avionin që u rrëzua gjatë rrugës për në Kiev momente pasi u nis nga aeroporti i Teheranit  ishin ‘dëm kolateral’ në luftën mes SHBA-së dhe Iranit, Trudeau u përgjigj:

‘Unë mendoj se nëse nuk do të kishte qenë për tensionet, nëse nuk do të kishte përshkallëzim kohët e fundit në rajon, ata kanadezë do të ishin tani në shtëpi me familjet e tyre.’

Irani e pranoi rrëzimin e aeroplanit ukrainas disa ditë pas incidentit dhe i kërkoi falje Kievit për ‘tragjedinë e madhe dhe gabimin e pafalshëm’, i cili ndodhi teksa tensionet mes Teheranit dhe Uashingtonit ishin në pikën më të lartë.

Mbrojtja ajrore iraniane u vu në gatishmëri pasi presidenti amerikan Donald Trump premtoi se SHBA do të godiste objektiva të profilit të lartë në zonë, disa orë pasi Irani nisi sulmet me raketa ndaj bazave amerikane në Irak si reagim për vrasjen e Gjeenralit të lartë iranian, Qassem Soleimani.

Trudeau gjithashtu u ankua se SHBA-ja nuk u këshillua me Kanadanë për vrasjen e Soleimani-t.

‘Ndonjëherë vendet ndërmarrin veprime pa njoftuar aleatët e tyre,’ tha kryeministri kanadez.