Vendosni fjalën kyçe....

Me makinë të blinduar dhe me armë, arrestohen tre të rinjtë në Fier


Tre djem të rinj janë vënë në pranga nga policia në Fier, gjatë një operacioni për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Të rinjtë po udhëtonin me makinë në momentin kur u ndaluan nga uniformat blu.

Në automjetin e blinduar tip “Audi A8”, u gjetën dy pistoleta dhe 2 krehëra me 24 fishekë poshtë sediljes së parë të pasagjerit. Po ashtu dy prej tyre iu gjet edhe nga një thikë.

DETAJET E POLICISË

Operacion për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Finalizohet operacioni policor i koduar”Çlirimi”.

Vihen në pranga 3 persona me precedent penal në fushën e krimeve kundër personit, pronës dhe armëmbajtjes pa leje.

Sekuestrohen 2 armë zjarri, municion luftarak, 2 armë të ftohta dhe 1 makinë e blinduar.

Në zbatim të planit të masave për kontrollin e territorit, kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri dhe në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si edhe nga informacionet e mara në rrugë operative, Policia bëri të mundur arrestimin në flagrancë të shtetasve:

  • Sh. K., 33 vjeç, banues në Fier, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje;
  • A. B., 35 vjeç, banues në Fier;
  • R. L., 20 vjeç, banues në Fier;

Gjatë kontrollit të ushtruar nga strukturat e DVP Fier, në fshatin Çlirim, Fier, në mjetin e blinduar Audi A8, i cili drejtohej nga shtetasi R. L., poshtë sediljes së parë të pasagjerit, ku ishte ulur shtetasi Sh. K., u gjetën dhe sekuestruan 2 armë zjarri tip pistoletë dhe 2 krehëra me 24 fishekë.

Gjatë kontrollit personal, shtetasit R. L. iu gjet dhe sekuestrua një mjet prerës (thikë), që e kishte në çantën e dorës.

Gjithashtu, gjatë kontrollit personal të ushtruar ndaj shtetasit A. B., u gjet dhe u sekuestrua një mjet prerës (thikë).

U sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 pistoleta, 2 krehëra me 24 fishekë, 2 mjetet prerëse dhe automjeti i blinduar Audi A8.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Fier, për veprat penale “Armëmbajtje pa leje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.