Vendosni fjalën kyçe....

Kosova pjesë e Serbisë në librin e Qytetarisë – Shahini: Nuk duhej të ekzistonin pasaktësi të tilla


Mbrëmjen e kaluar, ish-kryeministri Sali Berisha publikoi denoncimin e një nxënësi të klasës së 8, që thoshte se në librin e Qytetarisë, nuk njihej harta e Kosovës. Berisha publikoi edhe foto të faqes ku shfaqej harta në të cilën Kosova shfaqej si pjesë e Serbisë.

Lidhur me këtë ka reaguar ministrja e Arsimit Besa Shahini, e cila është nga Kosova. Shahini thotë se i vjen keq ndërsa shton se gabimi ka ardhur në zinxhir nga punonjësit e shtëpive botuese që merren me prodhimin e librave.

“Më erdhi keq kur pashë të postuar në rrjete sociale një faqe të një libri me pasaktësi në hartën e rajonit të Ballkanit.

Kosova është Republikë dhe njihet si e tillë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, 23 vende anëtare të BE-së, SHBA-të dhe shumë shtete të tjera aleate. Por nga autori i librit, te artisti grafik, te redaktori i shtëpisë botuese e deri te komisioni që ka dhënë OK për botim, nuk kanë qenë në gjendje ta vërejnë mungesën e shtetit të Kosovës në të!

Ky është natyrisht një gabim i paqëllimshëm dhe s’është i vetmi, megjithëse janë bërë përmirësime kolosale në korrigjimin e teksteve shkollore. Por padiskutim që nuk do të duhej të ekzistonin pasaktësi të tilla në librat shkollorë!

Lajmi i mirë është se kjo ka ndodhur ndërkohë që po zhvillohet procesi i kontrollit të librave shkollorë, pasi sivjet është mbyllur procesi i hartimit të librave të rinj. Pastaj do të vihet në lëvizje detyrimi për shtëpitë botuese që t’i adresojnë menjëherë me fletë plotësuese gabimet e konstatuara, ndërsa në vijim me redaktim të plotë.”- tha Shahini.

Ky incident shënohet vetëm pak ditë pasi kryeministri Edi Rama publikoi një hartë të ballkanit ku Kosova shfaqej gjithashtu pjesë e Serbisë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *