Vendosni fjalën kyçe....

Ligji i Ramës për mediet online, OSBE kundër: Rishikojeni! AMA s’duhet të merret me shpifjen, është kompetencë e gjykatave


OSBE-ja i kundërvihet Edi Ramës për ligjin më të fundit që ka ideuar, atë të marrjes së pozicionit të gjykatës nga Autoriteti Audiovizual i Medies, i cili sipas vullnetit të qeverisë duhet të bëjë gjykuesin e shkrimeve të portaleve në Shqipëri.

Harlem Desir, përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medieve i dërgon një letër Ramës, ku me një shikim të kujdesshëm të neneve dhe procesit të gjatë të konsultimit, i thotë as më shumë e as më pak se duhet ta rishikojë dhe se ky ligj ndikon lirinë e shprehjes.

“AMA ose ndonjë organ administrativ apo rregullator nuk duhet të merret me çështjet e shpifjes, të cilat duhet të mbeten nën kompetencat e gjykatave”, ka theksuar Desir.

“Unë e vlerësoj bashkëpunimin konstruktiv me autoritetet, edhe pse disa përmirësime në projektligjet duhen ende të futen. Shpresoj që rekomandimet tona të merren parasysh dhe se këto modifikime do të futen gjatë procesit parlamentar për të siguruar pajtueshmëri më të mirë të legjislacionit të ardhshëm me standardet ndërkombëtare mbi lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias “, tha Desir siç thuhet në njoftimin e OSBE-së.

Shqyrtimi është përgatitur nga Dr. Joan Barata Mir, një ekspert i pavarur për lirinë e medias dhe është një version i zgjeruar dhe i përditësuar i analizës ligjore që Zyra e Përfaqësuesit për Lirinë e Medias botoi më 11 korrik.

“Vërej që ka pasur përmirësime të rëndësishme në krahasim me draftet e përgatitura më herët gjatë vitit. Versioni i fundit i projektligjit për mediat audiovizuale përmban dispozita të reja që përcaktojnë më mirë dhe më saktësisht objektin dhe fushëveprimin e ligjit dhe përmend nevojën që AMA të respektojë standardet ndërkombëtare dhe rajonale kur të miratojë vendimet e saj. Është pozitive që dispozitat problematike në lidhje me regjistrimin e emrave të domeinit dhe bllokimin e përmbajtjes në internet janë hequr dhe që propozimi përfshin një përshtatje specifike të së drejtës për t’u përgjigjur në mjedisin e ri të publikimeve elektronike “, tha Désir.

Përfaqësuesi pranoi që drafti nuk i jep kompetencë Komitetit të Pajtueshmërisë së AMA-s në lidhje me respektimin e normave morale, etike apo profesionale për ofruesit e shërbimeve elektronike të botimit. Për më tepër, drafti i tanishëm nuk përmban dispozitën e përgjithshme të përfshirë në versionet e mëparshme, e cila duket se i jep AMA-s kompetenca bllokuese të gjera dhe të pakufizuara në rastet e “shkeljeve të dispozitave të këtij ligji”, i cili do të kufizohet në rastet e veprave penale të pornografisë ndaj fëmijëve, nxitjeve të akteve terroriste ose shkeljeve të sigurisë kombëtare.

Në letrën e tij drejtuar Kryeministrit të Shqipërisë, Désir theksoi disa çështje të mbetura që ende duhet të adresohen, të cilat ai i rekomandon për t’u ndryshuar në procesin legjislativ. Procesi i rishikimit ligjor propozon në veçanti, të modifikojë nenin 132/1 që i jep AMA-s kompetencën për të detyruar ofruesit e shërbimeve të botimeve elektronike të publikojnë një kërkesë faljeje, heqjen e përmbajtjes ose futjen e një njoftimi pop-up në rastet e shkeljeve të dispozitave në veçanti në nenin e ri 33/1. Në këtë artikull, referimi ndaj “respektit të privatësisë dhe dinjitetit të qytetarëve”, i cili është i gjerë, i jep AMA-s fuqi të re të madhe që mund të ndikojë në lirinë e shprehjes.

“AMA ose ndonjë organ administrativ apo rregullator nuk duhet të merret me çështjet e shpifjes, të cilat duhet të mbeten nën kompetencat e gjykatave”, tha Désir.

Analiza gjithashtu sugjeron një formulim të ri për paragrafin 3 të nenit 132, i cili përcakton mundësinë, në rastet kur shërbimet e medias elektronike “mund të favorizojnë” veprat penale të pornografisë së fëmijëve, inkurajimin e akteve terroriste ose shkeljen e sigurisë kombëtare, “të bllokojnë qasjen në internet “. Formulimi i propozuar synon gjithashtu qartësimin e kompetencave të Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike (NAECES), AMA dhe AKEP në këtë fushë.

Shqyrtimi ligjor ngre shqetësime rreth kompetencave të dhëna AKEP-it në propozimin për ndryshimin e Ligjit për Komunikimet Elektronike, lidhur me miratimin e masave për të mbrojtur një gamë të gjerë interesash, duke përfshirë interesat e vendit, sigurinë publike, të drejtat themelore dhe çdo dispozitë të përfshirë në sistemin ligjor shqiptar. Këto nocione janë shumë të përcaktuara dhe mund të jenë në kundërshtim me standardet ndërkombëtare të sigurisë juridike, proporcionalitetit dhe domosdoshmërisë dhe nuk përfshijnë rregulla specifike për mënyrën e sigurimit të mbrojtjes së lirisë së shprehjes.

Për më tepër, neni 133 i projektligjit ende i referohet gjobave ekonomike shumë të larta që do të vendosen në rastet e shkeljeve.

“Shpresoj që analiza ligjore, që përfshin një numër rekomandimesh, do të jetë e dobishme në diskutimet e mëtejshme. Zyra ime do të vazhdojë të jetë e angazhuar ngushtë në këtë proces, i cili duhet të jetë gjithëpërfshirës për të gjithë aktorët e çeshtjes deri në përfundimin e saj “, përfundoi Desir./Hashtag.al

SHËNIM: Vërejtjet E Plota i Gjeni KËTU

 

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *