Vendosni fjalën kyçe....

Ky është heroi i sulmeve në Sri Lanka, që u vetësakrifikua për të shpëtuar qindra njerëz


Ramesh Raju, kështu quhet heroi që vdiq duke ndaluar sulmuesin në Sri Lanka, duke shpëtuar jetët e qindra njerëzve.

Pothuajse një javë pas bombardimeve në Sri Lanka, rruga që të çon në shtëpinë e Raju është e rrethuar nga postera dhe fotografi të 40-vjeçarit, që bllokoi sulmuesit në derën e kishës.

Mediat ndërkombëtare shkruajnë se Raju ishte një nga 29 personat, përfshirë 14 fëmijë, që vdiqën në shpërthimin në Sion, një nga tre kishat dhe tre hotele e shënjestruara nga bombarduesit xhihadistë.

Por rreth 600 njerëz që ishin brenda në momentin e shpërthimit, shpëtuan. Kjo sepse Raju u vetësakrifikua duke ndaluar bombarduesin që kërkonte të futej brenda në kishën ungjillore të Sionit në Batticaloa.

“Ai mund të kishte ikur por zgjodhi të luftonte me bombarduesin vetëvrasës në mënyrë që ta ndalnte, të futej në kishë. Jam shumë krenar për të, ka shpëtuar shumë jetë, veçanërisht shumë fëmijë,”– është shprehur babai i tij, Velusami Raju për AFP.

Të vdekurit nga dy kishat e tjera përbëjnë shumicën e 253 vdekjeve të përgjithshme.

Kisha e Sionit ishte e mbushur plot me njerëz për meshën e Pashkëve. Raju kishte dalë vullnetar për të ndihmuar në menaxhimin e turmave, sipas dëshmitarëve.

Kur vuri re një njeri të panjohur që mbante dy çanta të mëdha, Raju u përball me të dhe i kërkoi që të largohej. Personi hodhi veten në erë gjatë konfrontimit, së bashku me të edhe Raju dhe shumë njerëz të tjerë që ndodheshin jashtë kishës.

Motra e vogël e Raju-së vdiq gjithashtu nga shpërthimi, së bashku me burrin e saj dhe djalin 20-muajsh.

“Kam humbur nipin, por në të njëjtën kohë ndihem kaq krenar që djali im ka shpëtuar kaq shumë fëmijë, kështu që familjet e tjera nuk duhet të kalojnë atë që po kalojmë ne”, tha babai i  Raju-së i mbytur në lotë.