Vendosni fjalën kyçe....

PD dhe LSI kallëzojnë penalisht Arta Markun


Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dhe ai i Lëvizjes Socialiste për Integrim, ditën e sotme kanë kallëzuar penalisht Kryeprokuroren e Përkohëshme Arta Marku për çështjen e prokurorit Bujar Sheshi. 

PD dhe LSI kërkojnë pezullimin e Arta Markut nga detyra pasi sipas tyre ka shpërdoruar detyrën.  Arta Marku është kallëzuar për këtë në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.

Në kërkesën e tyre drejtuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, PD dhe LSI kërkojnë regjistrimin dhe fillimin e procedimit penal ndaj Arta Markut për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorim i detyrës”, të parashikuara nga neni 248 i Kodit Penal, si dhe kryerjen e të gjitha veprimeve hetimore të nevojshme për sqarimin më të saktë e më të plotë të rrethanave të parashtruara.

Pjesë nga padia:

Duke vlerësuar se ndërmarrja e veprimeve të tilla me dashje direkte dhe në shkelje kaq flagrante të Kushtetutës e të ligjit, Arta Marku ka ndërmarrë veprime në dëm jo vetëm të ligjshmërisë së përbërjes së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, por edhe në dëm të vet interesave të ligjshme të shtetit, për shkak se në këtë mënyrë cenohet besimi i publikut tek organi i prokurorisë. Për pasojë, e kallëzuara nga ana jonë, ka konsumuar tërësisht elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal.

Duke mospërmbushur përgjegjësitë sipas ligjit, Arta Marku ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin, që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, dhe që cenon interesat e ligjshme të shtetit, me qëllimin kriminal të kontrolit të organit qeverisë së prokurorisë. Për pasojë, Arta Marku, ka konsumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Objekt i kësaj vepre penale janë marrëdhëniet juridike të vendosura me ligj, të cilat sigurojnë veprimtarinë e rregullt e normale të aparatit shtetëror, institucioneve publike, si dhe mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të ligjshme të shtetasve dhe të shtetit. Në këtë rast, nëpërmjet kualifikimit të një kandidati që nuk është verifikuar për plotësimin e kritereve ligjore, Arta Marku, ka injoruar detyrimet e parashikuara nga Kushtetuta dhe ligji.

Nga ana objektive vepra penale është kryer nëpërmjet veprimeve aktive të kundërligjshme, që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, dhe që ka sjell si pasojë dëmtimin e interesave të ligjshme të shtetit. Subjekti i veprës penale, është subjekt i posacëm, dhe konkretisht prokurore, e cila me veprimet e saj, ka kualifikuar kandidatë në kundërshtim me ligjin, duke cenuar funksionim normal të KLP. Nga ana subjektive vepra penale është kryer me dashje direkte dhe me qëllimin e posaçën ndikimin e paligjshëm në përzgjedhjen e anëtarëve të KLP.

Referuar gravitetit të shpërdorimit të detyres të kryer nga ana e të kallëzuarës, me dashje direkte dhe me veprime aktive kriminale, duke dhunuar Kushtetutën dhe mospërfillur ligjin, referuar densitetit dhe vazhdimësisë së veprimtarisë kriminale të saj, të cilat dëmtojnë vet interesat e ligjshme të shtetit, paraprakisht kërkojmë që, menjëherë pas regjistrimit të këtij kallëzimi penal ndaj personit të kallëzuar, për shkak të rrezikshmërisë së lartë shoqërore të saj, dhe pasojave të rënda që sjellin akte të tilla, kërkojmë të merret masa e sigurimit personal ndaluese, e “Pezullimit të Ushtrimit të detyrës publike”, të parashikuar nga neni 242 i Kodit të Procedurës Penale. Në këtë rast, pezullimi nga detyra, është parakusht edhe për një hetim të pavarur dhe të paanshëm, duke qenë se e kallëzuara është në funksionin e drejtuesit më të lartë të organit të prokurorisë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *