Vendosni fjalën kyçe....

Nga vrasja te protestat raciste, si u ndez flaka e ekstremizmit (FOTO/VIDEO)


Një minoritar grek ka humbur jetën dje pas një përplasjeje me armë me policinë.  Humbja e jetës së Kostandinos Kacifas shkaktoi shumë bujë e zhurmë në Shqipëri dhe në Greqi.

Ekstremizëm në reagime, protesta dhe thirrje raciste ndaj shqiptarëve në vendin fqinj dhe gëzimi i pakuptimtë i shqiptarëve për vrasjen e minoritarit. 

Në rrjetet sociale ka pasur një shpërthim të gjuhës së  urrejtjes mes shqiptarëve e grekëve, ndërsa ka pasur edhe protesta në vendin fqinj kundër vrasjes së Kacifas.

Zanafilla e ngjarjes

E gjitha nisi ditën e djeshme, në fshatin Bularat të Bashkisë Dropull në Gjirokastër, ku rreth orës 10.00, ka pasur të shtëna me armë zjarri. Sipas policisë shqiptare, personi që ka qëlluar me armë zjarri ishte Kostandinos Kacifas.

Kur kanë mbërritur në vendngjarje, punonjësit e Policisë janë sulmuar me armë zjarri nga një person i veshur me uniformë ushtarake, Kostandinos Kacifas. Nga zjarri i hapur kundër personelit të policisë u godit dhe u dëmtua automjeti i policisë. Lajmi u bë publik në media, ku policia njoftonte se ishte vënë në ndjekje të minoritarit grek.

Pasi kanë marrë përforcime dhe kanë lokalizuar Kacifasi-n në një shpat mali mbi fshatin Bularat, mes forcave speciale dhe Kacifas ka nisur një përplasje me armë, nga të cilat ka mbetur i vrarë minoritari.

Reagimi nga pala greke

Ministra e Jashtme greke nëpërmjet një deklarate zyrtare  deklaroi se është e papranueshme që ngjarja arriti deri në vrasjen e minoritarit, ndërsa pret sqarim nga autoritetet shqiptare.

“Vetëm tani u informuam zyrtarisht  zyrtarisht se në shkëmbimin e zjarrit me forcat e policisë shqiptare, Konstandinos Kacifas u vra.

Ndjejme shumë keqardheje për vdekjen e emigrantëve grekë dhe ngushëllimet tona ndaj familjes së tij.

Sidoqoftë, është e papranueshme që ngjarja të ketë arritur një pikë të humbjes së jetës njerëzore.

Ne presim që autoritetet shqiptare të kuptojnë plotësisht rrethanat në të cilat ky qytetar grek ka humbur jetën dhe  të ndërmarrin menjëherë veprimet e nevojshme.”, thuhet në njoftim.

Përgjigja nga pala shqiptare

Pas vrasjes së Kostandino Kacifas-it, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar nëpërmjet një deklarate për shtyp ku shprehu keqardhjen për politizimin nga autoritetet helene në reagimin e tyre.

MEPJ ka sqaruar se rrethanat e humbjes së jetës së shtetasit Kaçifa janë bërë të ditura dhe se kjo ngjarje është rast flagrant i agresionit ekstremist ndaj Policisë së Shtetit Shqiptar.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë, bashkë me keqardhjen për ngjarjen e ndodhur sot në Bularat, Gjirokastër, ku humbi jetën shtetasi Konstandinos Kacifas, shpreh po ashtu keqardhjen për politizimin e pajustifikueshëm të ngjarjes në shtetin fqinj.”, thuhet në njoftim.

Ndërsa sqaron ngjarjen sipas versionit të policisë, ministria e drejtuar nga Ditmir Bushati shprehet e zhgënjyer nga shteti fqinj.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh zhgënjim për reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, e cila jo vetëm nuk dënon sulmin me armë ndaj forcave tona të rendit, po flet për “humbje jete të papranueshme”.

Duke bërë thirrje për maturi dhe mosngjyrime politike e diplomatike të këtij rasti sa të qartë dhe të paprecedentë, i sigurojmë fqinjët tanë se Shqipëria është vend i sigurt e i qetë për të gjithë shtetasit e saj, përfshirë pa asnjë dallim ata me kombësi greke.”, thuhet në njoftim.

Edhe kryeministri Edi Rama, foli për ngjarjen duke i bërë thirrje fqinjëve helenë që të bashkohen në falenderimin e Zotit që asnjë jetë e pafajshme nuk humbi nga marrëzia ekstremiste.

 “Fqinj të dashur! Në vend ta quani të papranueshme humbjen e jetës së një të fandaksuri që qëlloi me plumba luftarakë mbi policinë tonë, e cila bëri vetëm detyrën e saj, bashkohuni me ne në falenderimin e Zotit që asnjë jetë e pafajshme nuk humbi sot nga marrëzia ekstremiste”– shkroi Rama.

Reagimi i së ëmë së minotritarit

“Pse duhet të më vrisnin fëmijën tim? Shqiptarët nuk i donin pakicat”, janë fjalët e nënës që humbi djalin e saj.

Në një lidhje telefonike për televizionin Antena, nëna e Kostandin Kacifas-it tha duke qarë se nuk e donte më jetën pa fëmijën e saj dhe më pas mbylli telefonin, pasi nuk ishte në gjendje të fliste.

Gjuha e urrejtjes

Në profilin e minoritarit të vrarë shqiptarë e grekë kanë komentuar duke përdorur gjuhë urrejtjeje ndaj njëri tjetrit, duke bërë që ngjarja të marrë përmasa histerie.

Grekët e konsideronin Kacifasi-n një hero, por kishte edhe komente ekstremiste të tipit “Gjaku lahet me gjak” apo “Do marrim hak”, ndërsa shqiptarët nga ana tjetër komentojnë me ironi ndaj të ndjerit: “Po armën çfarë e donte? Me armë festohet?”.

Protesta në mes të Athinës

Nga gjuha e urrejtjes nëpër rrjete sociale, ngjarja u përshkallëzua në protesta. Ultranacionalistët e “Agimi i Artë” në Greqi, protestuan para Ambasadës së Shqipërisë në Athinë, nën thirrje raciste për shqiptarët.

Më qirinj në duar, apo me flamuj grekë protestuesit bërtisnin: “Shqiptarët vrasës, po vrisni vëllezërit tonë në tokën greke”, apo “Çekiç dhe zjarr për qentë shqiptarë”.

Tensione në Bularat, njëri “Bravo”, tjetri “Pse e Vratë”

Po ashtu edhe në Bularat të Gjirokastrës ka patur tensione, ku një pjesë e banorëve duartrokisnin policinë duke i thënë bravo, e pjesa tjetër duke ofenduar.

Në videon e mëposhtme, banorët dëgjohet të thonë në gjuhën greke “E vratë djalin. Turp t’ju vijë. Largohuni prej këtej” si dhe ofendime të tjera.

Përleshja fizike në Athinë

Sakaq, në orët e para të mëngjesit të sotëm, një përleshje ndodhi mes një grupi shqiptarësh dhe grekësh, ku mbetën të plagosur 6 persona.

Mediat greke raportojnë se ngjarja ka ndodhur pak para orës 2 të mëngjesit të sotëm, në një park në kryqëzimin e rrugëve Domokos dhe Gerakas.

Në vendin e ngjarjes, poilicia gjeti një armë zjarri pistoletë. Tre prej të plagosurve u transferuan spitalin Sismanoglio dhe tre të tjerë në Kryqin e Kuq.

Ende nuk dihet se cili është shkaku i këtij konflikti, megjithatë policia greke njofton se ka nisur hetimet.

Sipas mediave greke, ngjarja dyshohet të ketë lidhje me vrasjen e minoritarit grek, Kostandinos Kacifas, nga forcat RENEA, mirëpo policia ende nuk i lidh dy ngjarjet bashkë./Hashtag.al

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *