Vendosni fjalën kyçe....

Thirrja e Bashës: Prokurorët dhe policët e ndershëm të mos i binden katërshes Marku-Prela-Xhafaj-Veliu


Kreu i Partisë Demokratike, Basha, u ka bërë thirrje prokurorëve të ndershëm që të refuzojnë urdhrat e paligjshëm të kryeorokurores Marku dhe kreu të Krimeve të Rënda, Prela.

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, ka thënë se prokurorët e ndershëm duhet të nxjerrin fletëarrestet për Ardi Veliun dhe drejtorine Policisë së Fierit si dhe të hetojnë Taulant Ballën, Edi Ramën e Fatmir Xhafajn.

Ai u ka bërë gjithashtu thirrje policëve, që të mos i binden më ministrit të Brendshëm Xhafaj dhe drejtorit të policisë, Veliu, të cilët sipas tij janë në funksion të krimit dhe fabrikimit të provave për të shpëtuar Agron Xhafajn.

Deklarata e Bashës

“U bëj thirrje prokurorëve të ndershëm që t’i rezistojnë urdhrave të paligjshëm dhe arbitrarë të Arta Markut dhe Donika Prelës  që janë vënë në shërbim të Edi Ramës dhe krimit për të shkatërruar hetimet dhe provat. Besnikëria juaj duhet të jetë ndaj Kushtetutës, ligjit, ndaj drejtësisë, ndaj popullit, jo ndaj politikanëve të inkriminuar dhe drejtuesve tuaj shërbëtorë të krimit.

U bëj thirrje burrave dhe grave me kurajë në Prokurori, që në zbatim të ligjit dhe në kundërshtim të urdhrave kriminalë e të paligjshëm, të nxjerrin menjëherë fletarrestet për Ardi Veliun dhe Drejtorin e Policisë së Fierit, të nisin menjëherë pa humbur kohë procedurën e heqjes së imunitetit dhe marrjes së pandehur të Taulant Ballës, dhe të nisin hetimin për pengim të drejtësisë ndaj Edi Ramës, Fatmir Xhafës dhe Donika Prelës.

Provat janë të qarta dhe ulëritëse, dhe nga vetë fashikujt zyrtarë të përgjimit të Prokurorisë del zbuluar se si kupola e Policisë dhe e Prokurorisë, me përfshirjen e Taulant Ballës dhe nën mbrojtjen e Edi Ramës dhe Fatmir Xhafës ka gjetur, manipuluar dhe paguar një dëshmitar të rremë për të shpëtuar narkotrafikantin Agron Geron Xhafaj, vëllain e Ministrit të Brendshëm. Veproni sa nuk është vonë.

Veproni jo vetëm sepse kështu jua kërkon ligji dhe Kushtetuta, por vetëdijesohuni se nga veprimi dhe mosveprimi juaj sot varet jo thjesht dhe vetëm zbatimi i ligjit, por stabiliteti i vendit dhe paqja sociale.

U bëj thirrje policëve të ndershëm që të mos rreshtohen përpara kryeministrit, me kokën e ulur duke gëlltitur se si ai shan, fyen, kërcënon ata mes jush që denoncojnë krimin në qeveri. Mos pranoni që të trajtoheni si shërbëtorë të kryeministrit, mos lejoni që të trajtoheni shërbëtorë të krimit. Bashkojuni kolegëve tuaj kurajozë që përballen njësoj me krimin dhe kriminelët me kostum që ju drejtojnë.

U bëj thirrje gazetarëve dhe punonjësve të mediave që të bashkohen në përpjekjen për denoncimin e krimit. Lufta kundër krimit është një kauzë jetike dhe si e tillë duhet të jetë kauzë e mediave të cilat kanë mision për t’i shërbyer popullit duke i treguar të vërtetën.

U bëj thirrje edhe socialistëve të ndershëm që të distancohen nga regjimi kriminal i Edi Ramës. Jo vetëm si socialist, por edhe si qytetarë, ata nuk duhet ta lejojnë partinë e tyre të kthehet në një organizatë kriminale të marrë peng nga njerëz pa asnjë moral dhe pa asnjë ideal shoqëror dhe njerëzor, një organizatë kriminale e cila sot ka marrë peng shtetin dhe drejtësinë.”


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *