
Policia e Shkodrës ka finalizuar operacionin e koduar “Kalibri”, në kuadër të të cilit është arrestuar një 21-vjeçar, pasi në banesën e tij u gjetën katër armë zjarri dhe një sasi e konsiderueshme municioni.
Sipas njoftimit zyrtar, operacioni u zhvillua pas administrimit të informacioneve të siguruara në rrugë operative, me fokus parandalimin e veprimtarive të paligjshme dhe garantimin e rendit e sigurisë publike.
Në pranga ra Roberto Malocaj, 21 vjeç, banues në fshatin Trush.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, shërbimet e Policisë sekuestruan një automatik, një pushkë, dy armë gjahu, si dhe një sasi të konsiderueshme municioni.
Armët dhe municionet u sekuestruan në cilësinë e provës materiale dhe u dërguan në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për vijimin e veprimeve hetimore.