Vendosni fjalën kyçe....

Debate në Gjykatën Administrative për transmetimin LIVE të seancës, avokati i Veliajt akuzon gjykatën për censurë


 Seanca e zhvilluar këtë të enjte në Gjykatën Administrative, ku kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka paditur prokurorin e SPAK-ut, Ols Dado, është shoqëruar me debate të forta procedurale lidhur me transparencën dhe pasqyrimin mediatik të procesit.

Pika kryesore e përplasjes mes palëve ka qenë vendimi i trupës gjykuese për mënyrën e transmetimit të seancës.

Gjykata vendosi që të lejohen të regjistrohen vetëm vendimet e ndërmjetme dhe vendimi përfundimtar, ndërsa nuk autorizoi transmetimin e plotë të diskutimeve dhe debateve që zhvillohen gjatë procesit gjyqësor.

Ky qëndrim i gjykatës u kundërshtua nga përfaqësuesi ligjor i kryebashkiakut Veliaj, avokati Plarent Ndreca, i cili e cilësoi vendimin si kufizim të panevojshëm të informimit publik.

“Kufizimi i transmetimit të seancës përbën një formë censure dhe cenon parimin e transparencës së procesit gjyqësor. Publiku ka të drejtë të njihet me gjithçka që diskutohet në një çështje me interes të lartë publik”, argumentoi Ndreca gjatë debatit në sallën e gjyqit.

Nga ana tjetër, trupa gjykuese mbajti të pandryshuar vendimin e saj, duke argumentuar se pasqyrimi mediatik do të kufizohet vetëm te momentet procedurale dhe vendimmarrjet e gjykatës.

Seanca vjen në kuadër të padisë së ngritur nga Erion Veliaj ndaj prokurorit të SPAK-ut, Ols Dado, një proces që po ndiqet me interes të lartë publik për shkak të pozicionit të palëve të përfshira dhe hetimeve që lidhen me kryebashkiakun e Tiranës.